DURRËS- Policia e Durrësit ka finalizuar operacionin e koduar “Sinjali”, duke zbardhur autorësinë e vendosjes së një sasie lënde plasëse të lidhur me një aparat telefonik celular, ngjarje e ndodhur më 28 gusht në lagjen nr. 3 të Durrësit.
Në kuadër të hetimeve të thelluara, të kryera nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës në bashkëpunim me Prokurorinë, janë identifikuar dhe arrestuar dy persona të dyshuar si autorë të ngjarjes.
Në pranga kanë rënë shtetasit Sherif Çela 47 vjeç, dhe Muharrem Thartori, 46 vjeç, të dy banues në Durrës.
Sipas Policisë, më 28 gusht, në lagjen nr. 3, është konstatuar një aparat telefonik celular i lidhur me një sasi lënde plasëse.
Në vijim të veprimeve hetimore dhe procedurale, autoritetet kanë sekuestruar në cilësinë e provës materiale tre aparate telefonikë celularë, të cilët do t’i nënshtrohen ekzaminimeve të mëtejshme.
Materialet procedurale do t’i referohen Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprat penale “Shkatërrimi i pronës me eksploziv”, e mbetur në tentativë, dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, të kryera në bashkëpunim.

