Sasia e vogël e eksplozivit që ishte vendosur pranë mjetit të punonjësit të Tatimeve në Shkodër dyshohet të jetë një atentat i dështuar ose mesazh kërcënues. Pista kryesore e hetimit është detyra që ushtronte si inspektor, por Nehat Zaganjori ka deklaruar në polici se nuk ka konflikte me askënd.
Atentati ndaj punonjësit të Tatimeve në Shkodër, Nehat Zaganjorit, ka mbetur mister. Lënda shpërthyese ishte vendosur rreth gjysmë metra larg mjetit në anë të trotuarit ndërsa fitili zjarrpërcjellës nuk ka qenë i ndezur.
Ndërkohë që nuk është gjetur asnjë pajisje tjetër për një komandim në distancë si dhe mbështjellja e lëndës plasëse është bërë më një letër të bardhë. Grupi hetimor është i paqartë nëse kemi të bëjmë më nje mesazh kërcënues apo me një atentat të dështuar. Punonjësi Nehat Zaganjori nuk rezulton të këtë konflikte më dikë, po ashtu as të afërm të tij.
Detyra që ushtron tek Tatim-Taksat e Shkodrës është ajo e inspektorit për vjeljen e detyrimeve të prapambetura. Kjo mbetet edhe pista kryesore e hetimit. Ngjarja ndodhi të enjten në mbrëmje tek Ura Dervish Beg në Shkodër. Ende policia nuk ka një autor për ngjarjen. Gjatë këtij viti në Shkodër kanë ndodhur një sërë ngjarjesh të rënda kriminale të cilat kanë tronditur kryeqendrën e veriut./abcnews.al