Një shpërthim i fuqishëm ka tronditur banorët në qendër të qytetit të Vlorës. Sipas policisë një sasi tritoli ishte vendosur pranë një lokali në pronësi të Servet Zyberit. Dëmet materiale ishin të mëdha.
U njoftua për shpërthim të një sasie të vogël tritoli, por pamjet tregojnë se gjysma e lokalit është hedhur në erë. Xhamat janë thyer, dyert gjithashtu. E gjithë pjesa e parme e këtij bar kafe në pronësi të Servet Zyberit është dëmtuar.
Shpërthimi ishte aq i fuqishëm saqë banorët në qendër të Vlorës u zgjuan para kohe. Ngjarja ndodhi në orën 3 e gjysmë të mëngjesit të kësaj të enjte.
Në objekt nuk pati njerëz kurse vetë pronari ka thëne se nuk kishte konflikte. Por burime të policisë i thanë ABC News që po hetohen konfliktet e djalit të tij.
Nga fillimi i vitit ky është rasti i pestë i vendosjes së tritolit. Më 31 Janar rreth 200 grame u gjetën para derës së lokalit të Adriatik Brahimaj. Bomba ishte me fitil po nuk shpërtheu. Ajo u largua nga policia dhe forcat xheniere.
Në 30 Mars pati shpërthim eksplozivi në oborrin e shtëpisë së Frederik Osmeni. Pranë ishte dhe një lavazh, pati dëme të mëdha material.
Një ditë më pas, në 31 Mars, rruga në lagjen 10 Korriku u bllokua për katër orë për shkak të një bombe. U dyshua se pako me eksploziv i ra ndonjë makine megjithatë asgjë më tepër nuk është mësuar. Forcat xheniere e çaktivizuan në vendin e ngjarjes, në rrugën mjaft të populluar ose që ndryshe quhet unaza e re e qytetit të Vlorës.
Shënjestër më 8 Prill ishte një zyrë e përkthimit ligjor, ambient shumë pranë gjykate. 200 grame tritol lidhur me telefon ishte vendosur në hollin e katit të tyre, aty ku ndodhej prona e përkthyesve Eleni dhe Orset Zhupa. Në atë godinë ka disa zyra të tilla, avokatie e noteriale. Edhe kësaj here xhenieret çaktivizuan pakon, por ngjarja nuk ka autor.
Elton Nika, gazetar i ABC News, Vlorë