Shpenzimet që shkojnë për taksa, sipas Partisë Demokratike, janë shumëfishuar. Nënkryetarja e Komisionit Parlamentar të Ekonomisë, Jorida Tabaku, takoi disa tregtarë të vegjël, të cilët i thanë se përfshirja në skemën e TVSH-së do t’i çojë drejt falimentit.
Tregtarët e vegjël në Tiranë iu ankuan nënkryetares demokrate të komisionit parlamentar të ekonomisë, Jorida Tabaku, për përfshirjen në skemën e TVSH-së.
“Ne jemi automatikisht të vdekur me këtë rritjen e taksave”.
Ata shprehen se rrezikojnë falimentin, pasi nga një Prilli kostot do t’u rriten, ndërsa fitimet do t’u ulen.
“Flitet për mbijetesë, nuk flitet më për fitime”.
Në këto filmime të shpërndara nga zyra e shtypit e Partisë Demokratike, tregtarët i shmangen identifikimit për shkak të frikës nga tatimorët.
Sipas deputetes së Partisë Demokratike ka një rritje të shpenzimeve që shkojnë për taksa.
Jorida Tabaku: “TVSH-ja e biznesit të vogël, që fillon nga pragu 2 milionë, taksa e re e pronës dhe tarifa e Rrugës së Kombit. Bizneset në këtë treg preken në mënyrë masive nga të treja. Po të shikoni, pothuajse gjysma e bizneseve kanë mbyllur qepenat. Bizneset që nga Janari kanë pasur qeranë e rritur nga 30 deri në 50% si rezultat i rritjes së taksës së pronës, dhe nga tarifa e Rrugës së Kombit, sepse një pjesë e madhe e të gjithë blerësve tek bizneset, vijnë nga vendet, të cilat duhet patjetër të kalojnë në Rrugën e Kombit. Ka rënie të konsumit. Bizneset më thonë se konsumatorët blejnë më pak. Është prekur nga emigracioni, sepse një pjesë e madhe e blerësve të këtij tregu kanë qënë nga ajo shtresë që tashmë ka emigruar. Duke pasur parasysh edhe rritjen e çmimit të energjisë, rritja e taksës së tatimfitimit deri në 15%, tatimin mbi dividentin, që e kanë shtuar këtë vit për bizneset që konsiderohen si më të mëdha. Ka rritje masive të përgjithshme të shpenzimeve që shkojnë për taksa”.
Përfshirja e biznesit të vogël në skemën e TVSH-së është kundërshtuar nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, ndërkohë Dhoma Amerikane e Tregtisë dhe Shoqata e Biznesit të Vogël e kanë cilësuar si një skemë falimentuese./abcnews.al