Tre raste të reja me koronavirus janë konfirmuar në Fier. Dy prej tyre janë mjekë ndërsa rasti i tretë është një grua pensioniste. Sa i përket mjekëve, një prej tyre është anestezist i spitalit të Fierit ndërsa tjetri punon në Levan.
Gazetarja e Abc News Valbona Davidhi raporton se gjendja shëndetësore e tre të infektuarve paraqitet e mirë dhe se deri më tani ata nuk kanë nevojë që të shtrohen në spital.
Lexo edhe: Infektohen nga Covid-19 dy mjekë në Fier
Sipas gazetares, mjeku anestezist dyshohet të jetë infektuar në Vlorë pasi ka qenë aty ditëve të fundit. Megjithatë, shton ajo, këto mbeten ende dyshime. Ndërsa, nga Spitali i Fierit i cili “infektohet” për herë të dytë, s’ka ende të dhëna nëse do vendoset karantina. Megjithatë, pritet që të mos vendoset një karantinë e rreptë.
Mjeku i dyshohet të jetë infektuar nga kontakte rastësore.
“Përpara disa ditësh patëm një pacient, në moshë të re, i cili rezultoi pozitiv për Covid-19 dhe ishte nga Levani. Këtu po zhvillohet hetimi epidemiologjik. Po shihet nëse pacienti ka qenë në qendrën shëndetësore përpara se të konfirmohej me koronavirus apo jo,” raporton gazetarja.
Ndërsa, gruaja 60-vjeçare, dyshohet ta ketë marrë virusin nga kontakte rastësore, ndërsa mendohet të jetë një vatër e re. Ajo mbetet në gjendje të qëndrueshme shëndetësore. /abcnews.al/