Një shoqatë e futbollistëve profesionistë pritet të krijohet së shpejti në Shqipëri. Këtë e tregon ish-lojtari i Kamzës, Sebino Plaku, në intervistën për Abc News.
Golat duhet t’i shikojë i ulur në kolltukun e shtëpisë. Sebino Plaku prej 3 muajsh nuk ka mundësi të tregojë veten në fushë, ashtu si edhe gjithë skuadra e Kamzës, në të cilën ai ishte kapiten.
Për sulmuesin me numrin 10 dhe shokët e tij, çasti fatal ishte ai i dhunës që shpërtheu kundër arbitrit në stadiumin e Kamzës, në ndeshjen ndaj Laçit, pas së cilës klubi u përjashtua nga Superliga.
Si kanë qenë për Sebinon këta muaj pa futboll?
“Në momentin që ke një profesion, nuk paguhesh për atë profesion që ndjek, atëherë normalisht fillojnë vështirësitë sepse faturat e jetesës nuk pyesin se çfarë ndodh me ty. Është një periudhë e gjatë dhe e vështirë të kthehet në formën e mëparshme. Qoftë gjendja e mëparshme sportive sepse ekipet e marrin në konsideratë periudhën e gjatë të shkëputjes, jo vetëm në aspektin personal të stërvitjes, por edhe për sa i përket kreditive që mund të ketë lojtari, kur është në aktivitet”, tha Plaku.
Gjithsesi, duket se ka dritë në fund të tunelit, pasi Sebino dhe disa lojtarë të tjerë po përpiqen të themelojnë shoqatën e futbollistëve profesionistë të Shqipërisë, me Andi Lilën si nismëtar.
“Janë disa iniciatorë, unë jam një prej tyre edhe e kam përqafuar shumë shpejt idenë sepse mendoj se është shumë e nevojshme sepse mesa di unë jemi vendi i dytë, ndoshta është edhe Kosova që nuk e kanë këtë institucion. Urojmë që të miratohet dhe lojtarët në të ardhmen të kenë një mbështetje më tepër apo të kenë ku të kërkojnë të drejtat e tyre”, tha futbollisti.
Sidoqoftë, vetëm shoqata e futbollistëve nuk mjafton.
“Në qoftë se shteti do ta miratojë ligjin për sportin, do t’i japë një shtysë shumë të madhe në Shqipëri, duke bërë krahasimin me ekipe që përfaqësohen në Kupat e Europës që kanë treguar se mund të përfaqësohesh denjësisht qoftë edhe me vështirësitë që sapo i prekëm. Do ishte një hap drejt së ardhmes sepse edhe këta presidentë janë ata që sakrifikojnë dhe duhen kuptuar në këto raste”, tha Plaku.
Sebino Plaku mbetet futbollist, pra ku do të jetë ai sezonin e ardhshëm?
“Do të jem në Superiore sepse ka 10 ekipe dhe është mundësia të aktivizohemi. Jashtë vendit, duke qenë familjar, do të marrësh në konsideratë çdo lëvizje, por ddo jesh shumë i kujdesshëm para se të bësh një hap”, tha Plaku./ABC News Albania 24/7