Prokuroria e Durrësit dërgon për gjykim tre biznesmenët Gëzim Sallaku, vëllain e tij Saimir Sallaku dhe Rabi Kurti. Ata akuzohen për pastrim parash dhe se kanë përfituar nga aktiviteti kriminal 1.5 milionë euro.
Hetimi pasuror për biznesmenin shqiptar që jeton në Itali, Gëzim Sallakun ka nisur disa vite më parë në vendin tonë. Ai është dënuar në Itali nga viti 1999-2008 për vepra të ndryshme penale. Ai cilësohej si trafikant i makinave luksoze nga Italia në Evropën Lindore.
Autoritetet italiane e dëbuan atë nga vendi pas një dekreti dëbimi të lëshuar nga Selia e Policisë në Brescia. Policia e Brescia, në dekretin e saj e konsideronte biznesmenin shqiptar si “person të padëshiruar dhe të i rrezikshëm”.
Në vitin 2018, hetimet për Gëzim Sallakun, vëllain e tij Saimirin dhe mikun e tyre Rabi Kurti nisën pas disa transferave të dyshimta bankare të kryera nga 3 biznesmenët.
Në qershor të 2021, u sekuestruan 11 pasuri në emër të tyre që kapnin vlerën e 3 milionë eurove, si aksione të shoqërisë “GS” sh.p.k me aktivitet “Import Eksport, tregtia e autovetura, kamion, 13 automjete të kësaj kompanie, si dhe apartamente e ndërtesa.
Pasuritë e sekuestruara:
- Aksione të shoqërisë “GS” sh.p.k me aktivitet “Import Eksport, tregti autovetura, kamion, etj” me seli në Durrës me ortak të vetëm dhe administrator shtetasin G.S;
- 13 automjete në pronësi shoqërisë tregetare “GS” sh.p.k.;
- Pasuria e llojit apartament, me sip 48.4 m2, në emër të shtetasit G.S dhe S.H.;
- Pasuria e llojit apartament, me sip 330 m2, në emër të shtetasit G.S dhe S.H.;
- Pasuria me adresë Hamallë, me sipërfaqe 12.710 m2, M.Gj, e cila është nga shtetasi G.S.;
- Pasuria e llojit Arë, me adresë Hamallë, me sipërfaqe 7890 m2, në emër të shtetasit A.L., e cila është blerë nga shtetasi G.S.;
- Pasuria e deklaruar për legalizimin, në emër të shtetasit G.S., ndërtim 3 kate, me sipërfaqe ndërtimi 140 m2, e ndërtuar në një truall 500 m2;
- Pasuria e deklaruar për legalizim, në emër të shtetasit S.S, me sipërfaqe ndërtimi 140 m2, e ndërtuar në një truall 500 m2;
- Pasuria e llojit ndërtesë godinë banimi 2 kate + garazh, me sip 115 m2 kati i përdhe, 116 m2 kati i parë dhe 54 m2 garazhi, në emër të shtetasit R.K., regjistruar me leje legalizimi;
- Pasuria e llojit ndërtesë, me sip 54 m2, në emër të shtetasit R.K.; dhe
- Pasuria e llojit apartament, me sip 111.4 m2, në emër të shtetasit R.K. dhe L.K./abcnews.al