Tratativat me Ferhan Hasanin, Ilir Daja zbulon situatën

schedule13:51 - 24 Janar, 2021

schedule 13:51 - 24 Janar, 2021

Para dy ditësh drejtori i përgjithshëm i Partizanit, Olsi Rama u pa duke drekuar me të dhe lajmet për transferimin e Ferhan Hasanit te të kuqtë mori dhenë, pavarësisht se nuk u pohua nga asnjëra palë. Por tashmë është thuajse e kryer dhe këtë e tregon vetë trajneri i Partizanit, Ilir Daja.

 

Tekniku ishte sot në konferencë për shtyp para ndeshjes me Teutën pë javën e 16 të Kategorisë Superiore dhe pyetja e parë që iu bë ishte në lidhje me “Bubën”. Daja u shpreh se tratativat janë drejt fundit të suksesshëm, pavarësisht se thekson se nuk është ende asgjë zyrtare.

“Edhe në ndeshjen e fundit kam thënë që prezantimi bëhet kur hidhet firma. Në dijeninë time tratativat janë drejt përfundimit, por kur të firmosë do të them se është i joni dhe sa i rëndësishëm është për skuadrën. Dihet se është me shumë vlera dhe e ka treguar kudo ku ka qenë dhe ka bagazh të madh teknik. Kur të jetë zyrtare do shprehemi më shumë në këtë drejtim”, u shpreh Daja. /abcnews.al