Policia Kufitare e Shkodrës ka finalizuar operacionin e koduar “Halfway”, duke goditur një rast të dhënies ndihmë emigrantëve për kalim të paligjshëm të kufirit.
Në kuadër të këtij operacioni janë arrestuar në flagrancë dy shtetas, të cilët dyshohet se transportonin kundrejt pagesës 15 emigrantë nga vende të Afrikës, me qëllim kalimin ilegal drejt Malit të Zi.
Të arrestuarit janë shtetasit E. A., 22 vjeç dhe M. F., 19 vjeç, të dy banues në Fushë-Arrëz. Ata u kapën nga shërbimet e Policisë Kufitare në fshatin Vukpalaj, pranë kufirit me Malin e Zi, ndërsa po transportonin emigrantët me një automjet tip furgon.
Gjatë operacionit u sekuestrua edhe automjeti i përdorur për transportin e emigrantëve.
Sipas policisë, operacioni u zhvillua pas informacioneve të siguruara në rrugë operative dhe në vijim të kontrolleve intensive për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale të ndihmës për kalim të paligjshëm të kufirit.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.


