“Transformim epokal, do survejojmë me kamera qytetet dhe evidentojmë shkeljet rrugore”, Rama: Do krijojmë Akademinë e Sigurisë

schedule11:58 - 31 Janar, 2025

schedule 11:58 - 31 Janar, 2025

Kryeminstri Edi Rama ka thënë se do të bëjnë një transformim epokal me Policinë e Shteti, pasi do survejojmë me kamera qytetet dhe evidentojmë shkeljet rrugore.

Ai u shpreh se në planet e afërta të tyre është krijimi i Akademisë së Sigurisë me studentët e drejtësisë, pasi mund të jetë një hap më afër Bashkimit Europian.

“Përpara disa kohësh ndodhi një tragjedi që preku të madh e të vogël, ku humbi jetën tragjikisht një djalë 14 vjeçar, një nxënës, u ngrit një histeri e madhe kundër Policisë së Shtetit, një absurditet total, por në ndërkohë ne u angazhuam në një këshillim intensiv dhe të një mase kompakte si asnjëherë më parë, me mësuesit dhe me prindërit dhe kemi sot falë atij këshillimi edhe një plan të ri për sigurinë të konsultuar ngushtësisht edhe me Policinë e Shtetit. Por ama është shumë e rëndësishme që ai plan të vihet në jetë dhe në vënien e atij plani në jetë ky Këshill dhe Këshillat Vendor janë çelës.

Tani, një nga pikat negative të anketës ku unë dua të ndalem ishte përvoja e qytetarëve. Qytetarët e pyetur për përvojën në raport me Policinë e Shtetit kur e kanë e kanë kontaktuar për të shprehur një shqetësim, një ankesë për të bërë një denoncim etj. 53 % e tyre thonë se përvoja është negative, e pra kjo pikë duhet të ndryshojë katërcipërisht. Kjo pikë duhet të ndryshojë katërcipërisht, sepse kjo është një e varetë e hidhur që lidhet me atë që thashë më parë, është i mirë kuptueshëm stresi, është i mirëkuptueshëm ngarkesa është e mirëkuptueshme edhe lodhja nga probleme shumë serioze me të cilat merret Policia e Shtetit, por asgjë nga këto nuk justifikon një sjelle që prodhojë një përvojë negative për qytetarin që i drejtohet Policisë së Shtetit dhe në atë pikë pjesën e luanit e zinte Rrugoja nëse do ta vini re.

Tani duhet parë me kujdes, duhet analizuar se të çfarë natyrë janë ankesat e qytetarëve që lidhen me Policinë Rrugore, me aksidentet rrugore, me shkeljet e natyrës të qarkullimit rrugor, por nga ana tjetër këtu ne do ta ndihmojmë, flas qeveria, ministri i Brendshëm do ta ndihmojë Policinë e Shtetit me një instrument të ri që është pjesë e modernizimit të mëtejshëm teknologjik të Policisë së Shtetit dhe do të kemi një transformim epokal për sa i përket survejimit me kamera të qyteteve dhe me fokus qarkullimin rrugor, shkeljet dhe shkelësit.

Një sistem i bazuar tek fjala e fundit e teknologjisë digjitale, i pasuruar edhe me Inteligjencë Artificiale që do t’i japë mundësi në kohë reale Policisë së Shtetit, përmes sallave të monitorimit të të gjithë qyteteve që do ta kenë këtë sistem fillimisht. Do të fillojë me 20 qytete në mos gabohem, ashtu sikundër së shpejti fillon dhe investimi që i njëjti sistem të hyjë në rrugët kombëtare. Do të fillojë me 200 kilometrat e para dhe ai sistem do të japë mundësinë që çdo ankesë e çdo qytetari të jetë e verifikueshme në kohë reale, edhe kur qytetari ankohet me të drejtë, dhe kur qytetari se ka dhe rasti që bën një telefonatë për të nxjerrë një inat me një komshi etj etj por këto janë pjesë e jetës.

Sistemi verifikon jo thjesht me fotografi të përgjithshme por verifikon me personin, emrin, mbiemrin dhe të gjithë kartelën e tij në aspektin e precedentëve penalë.

Ky është një projekt i jashtëzakonshëm që më në fund e kemi garantuar edhe si financim dhe në bashkëpunim me partnerët tanë të Emirateve të Bashkuara do të fillojmë ta implementojmë.

E fundit që kam është Akademia e Sigurisë ku janë bërë përmirësime të ndjeshme por ku duhet të bëjmë ende më shumë sepse, për të pasur një Polici Shteti me mesataren e Bashkimit Europian në të gjitha aspektet sepse këto që trajton anketa janë aspektet që kanë të bëjnë drejtpërdrejtë më publikun por janë dhe një sërë aspektesh të tjera që nuk kanë të bëjnë drejtpërdrejtë por që e prekin drejtpërdrejtë interesin e publikut dhe na duhet një Akademi Sigurie e nivelit europian që sot ende nuk e kemi, që të jemi të vërtetë me njëri-tjetrin.

Tani me planin e ri për të përfshirë studentë në një fakultet të ri të drejtësisë dhe të hetimit, rreth 100 studentë, si dhe me planin për Kampusin e ri të Sigurisë, besoj që mund të themi se Policia e Shtetit e 2030 do të jetë një nga krenaritë e mëdha të Shqipërisë në Bashkimin Europian”, tha Rama./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!