Trajneri Reja bën dy ndryshime për Moldavinë  

schedule14:10 - 10 Qershor, 2019

schedule 14:10 - 10 Qershor, 2019

Kombëtarja shqiptare ka në dispozicion vetëm një seancë stërvitore për ndeshjen ndaj Moldavisë, për shkak të lodhjes së udhëtimit. Trajneri Reja pritet të bëjë dy ndryshime në krahasim me Islandën.

Udhëtimi ishte i lodhshëm, në vajtje, dhe në kthim.

Kombëtarja më shumë u rraskapit nga rruga sesa nga ndeshja ndaj Islandës, dhe kjo pritet të prishë jo pak punë ndaj Moldavisë.

Trajneri Edoardo Reja u detyrua të anulonte një seancë stërvitore me lojtarët kryesorë që luajtën në Rejkjavik, dhe të dielën të punonte vetëm me ata që kishin qenë në stol.

Për pjesën tjetër të ekipit mbeti vetëm stërvitja e së hënës, një ditë para ndeshjes eleminatore të Europianit.

Italiani ka dy shqetësime kryesore.

Së pari, të bindë skuadrën se humbja në Islandë nuk ishte dështim, ndaj shanset janë që të gjitha për fitore ndaj Moldavisë.

Së dyti, trajneri duhet të përshtatë më mirë lojtarët me skemën e tij të preferuar 3-5-2, aq më shumë që nuk ka kohë për të provuar diçka tjetër.

Reja ftoi lojtarët që të ishin të qetë në fushë, dhe po ashtu të saktë në veprime, për të mos krijuar të papritura, e shpenzuar energji të kota.

Pritet që ai të bëjë ndryshime në formacionin bazë, edhe pse nuk mendohet të jenë të shumta.

Një zëvendësim mund të quhet i detyrueshëm, pasi Mavraj kthehet nga pezullimi, dhe besohet se do të zërë vendin e Dermakut në mbrojtje.

Në krah mund të ketë shans Odise Roshi në vend të Lenjanit, ndërsa në sulm duhet parë forma fizike e Sadikut.

Presioni do të jetë i madh për ekipin përfaqësues, pasi nga ndeshja e së martës në “Elbasan Arena” pritet vetëm fitorja, dhe çdo rezultat tjetër do të konsiderohej dështim./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!