Vllaznia ka një provë të fortë këtë fundjavë. Do të ndeshet në Shkodër me Erzenin e Shijakut, dhe trajneri Lika premton maksimumin për ta kaluar me sukses edhe këtë ndeshje.
Pesë fitore radhazi janë sukses edhe në Kategorinë e Parë.
Vllaznia përgatitet për të gjashtën, ndërsa këtë fundjavë luan ndaj Erzenit në Shkodër, ndërsa trajneri Hasan Lika po i jep dorën e fundit përgatitjeve.
Flitet për një ndeshje rivalësh, pasi nëse shkodranët janë në vend të parë, shijakasit ndodhen të tretët.
“Ne po përgatitemi ashtu siç përgatitemi çdo ndeshje. E dimë që kemi një kundërshtar të fortë përballë, i cili ka arritur rezultate pozitive dhe ka futbollistë cilësorë”, tha Lika.
Ndërprerja e kampionatit, për shkak të kombëtares, ndoshta i ka pëlqyer Likës, që ka pasur më shumë kohë për të punuar.
Presioni në Kategorinë e Parë nuk është aq i madh sa në Superligë, por tepër e fortë është trysnia e publikut për t’u rikthyer në elitë.
Lika premton vetëm diçka.
“Stërvitemi që çdo ndeshje ta kalojmë me sukses dhe në radhë të parë duam fitoeren në fushën tonë dhe jashtë”, u shpreh Lika.
Konkurrenca është më e madhe pas ardhjes së një sulmuesi nigerian, ndërsa në ekip është edhe një sulmues brazilian, por edhe lojtarë vendas./abcnews.al