Një grua e pajetë u gjet mëngjesin e sotëm në Cukë, bashkia Sarandë. Ajo është identifikuar si Stamato Milo 88 vjeç, banore e fshatit Cukë. Dyshohet se gruaja fatkeqe të mund të ketë ndërruar jetë pasditen e së martës pasi trupi i saj ishte i ngrirë dhe ka qëndruar natën jashtë.
Burime bëjnë me dije se 88 vjeçarja është gjetur sot nga infermierja e fshatit në bahçen e shtëpisë. 88 vjeçarja, nënë e pesë fëmijëve jetonte e vetme në shtëpinë e saj pasi të gjithë fëmijët i ka në emigracion në Greqi. Menjëherë është njoftuar policia e cila shkoi në vendngjarje.
Pas këqyrjes së trupit u pa se nuk kishte shenja dhune dhe se vdekja mund të ketë qenë natyrale. Trupi i 88 vjeçares u transportua në morgun e spitalit për të kryer ekspertizën mjeko -ligjore dhe për të përcaktuar shkakun konkret të vdekjes.
“Më datë 12.01.2022, në fshatin Çukë, Bashkia Sarandë, është gjetur pa shenja jete, nga kryeplaku fshatit , në oborrin e banesës së saj shtetasja S. M., 84 vjeçe. Nga këqyrja paraprake nuk janë konstatuar shenja dhune, paraprakisht dyshohet vdekje natyrale,” thuhet në njoftimin e policisë.
/abcnews.al/