Gazetari Nevrij Ademi, në një intervistë në “ABC e Mëngjesit” në ABC News, foli për ngjarjen e rëndë të ndodhur në Maqedoninë e Veriut, një ditë më parë. Një zjarr i rënë në një diskotekë, shkaktoi 59 viktima dhe qindra të plagosur.
Shkak i zjarrit u raportua se ishin fishekzjarrët, dhe gjithashtu nga raportimet është evidentuar, se diskoteka ka pasur mungesë të sigurisë.
“Ajo që kem parë ishte shumë e rëndë. Njerëzit në spital. Familjarë të alarmuar, momenti kur shihnin kufomat, disa prej të cilave shumë të djegur. Ngjarja shumë e tmerrshme. Një veprim që autoritetet duhet të reagojnë . Ajo më parë ka funksionuar si fabrikë qilimash, dhe nuk ka funksionuar si diskotekë. Një e mbijetuar ka treguar se shumica e bashkëmoshatarëve kanë tentuar të dalin nga tualeti, por ka pasur një numër të madh njerëz dhe ka qenë e pamundur. Sipas dëshmitarëve, thuhet se mund të ketë pasur diku te 1500 persona. Dy anëtarë të grupit muzikor, po trajtohen në spitalin e Shkupit. Si mundet që kjo diskotekë ka funksionuar çdo të shtunë në këtë mënyrë, dhe askush nuk e di. As policia, as ministria dhe ende nuk kemi një dalje zyrtare të Komunës së Koçanit”, tha ndër të tjera ai.
Viktimat e identifikuara, janë të moshës rreth 14 deri në 21 vjeç.
Lidhur më këtë ngjarje të rëndë, qeveria në Maqedoninë e Veriut ka shpallur shtatë ditë zie për humbjen e të rinjve.