85-vjecari Shyqyri Andranji nga Korça nuk resht së punuari në torno. Ishte fëmijë kur i lindi dëshira për të mësuar tornon. Shihte mekaniket me kombinoshet gjithë vaj dhe i thoshte vetes se a do të vinte ndonjëherë ajo ditë kur të ishte njëri prej tyre? Kjo nuk I mbeti ëndërr!
Pa mbushur ende 15 vjeç nisi të mësojë tornon. Në vitin 1952 filloi të ndjekë mësimet në shkollën teknike në Durrës.
“Dola shumë mirë në shkollën në kategorinë e katërt. Më caktuan direkt në uzinën “Enver” në Tiranë, nuk qëndrova dhe hyra në Kombinatin e sheqerit në Maliq. Aty punova shumë mire, hahesha me ata që ishin më lart se unë. Më thonin mos se do na ngresh normat. Përgjegjësi më thonte unë e bëj për 20 minuta, unë e bëja për 15 minuta. Atë që ishte më e vështirë e kisha më qejf! Punoja, këndoja fërshëlleja tërë ditën, nuk ndjeja lodhje. Punova në repartin e corapeve në trikotazh dhe më pas shkova në marinë. Qëndrova 3 vjet në marinë. Deri sa dola në pension nuk e lëshova tornon.”
85-vjecari dhe bashkëshortja e tij janë shumë mikpritës. Kujton me nostalgji kur ka marrë titullin mjeshtri I madh, fletë nderi dhe lavdërimi. Kur u vlerësua si novator i dalluar për të u mbajt dhe një koncert.
“Bëra një makinë për përpunimin e sallamin. Erdhën Lindita Theodhori dhe disa këngëtarë të tjerë. U bë një mbrëmje kastile për novatorin e dalluar.”
Në vitin 1993 doli në pension. I nxitur nga i biri hapi punishte në një nga ambientet e shtëpisë e tij që ndodhet në një nga lagjet më të vjetra të Korçës në të cilën vazhdon të punojë dhe sot.
“Dola në pension, më hanin duar për punë. Mendoja mos më tallin të tjetër. Më pas më tha djali më tha merr një torno të vogël dhe puno. U ripërtërita.”
Para se të nisë punën, Shyqyri Andranjin pastron me delikatesë këtë torno kineze të prodhuar në vitin 1968, sikur të jenë frymor.
“E fërkoj tornon në mëngjes mbushem me frymë. Kjo e ka shlyer veten e saj kushedi sa herë.”
85-vjeçari tregon se tani ndihmon banorët e zonës.
“U prish një traktor në arë do vijë të ma sjellë këtu dhe ja rregulloj. Erdhi njëri donte një pajise për të shtrydhur kumbullat për të bërë rakinë. E bëra me djalin, ja provuam funksionoi. Kërkuan karrocë që të mbajë fuçi 200 kg. Ja bëmë dhe atë.”
Fama e këtij mjeshtri ka kaluar territorin e Korçës.
“Dy traktorisët nga Berati kishin mbetur në Blilisht. I thanë një taksixhiu na ço tek një tornitor. E pashë ju ishte prishur aksi. Ja rregullova nuk dinin si të më falenderonin.”
Mjeshtri rrëfen se zanatin ja ka trashëguar dhe të birit.
“Djali Punon mirë po duhet dhe më mirë. bën dhe gjëra të imta. Ka një profesion tjetër po dhe këtë e ka.”
Zanatçinj të rrallë si Shyqyri Andranji nuk mbajnë gjallë vetëm profesione në zhdukje, por dhe dashurinë për punën. /abcnews.al/


