Topalli: Basha ia fali të gjitha pushtetet Ramës

schedule22:50 - 30 Qershor, 2019

schedule 22:50 - 30 Qershor, 2019

Mesazhet e kryedemokratit Lulzim Basha, ish-nënkryetarja e PD, Jozefina Topalli i sheh si këngë fitoresh që i këndohen një kufome politike. Topalli e akuzon Bashën si përgjegjësin kryesor që Partia Demokratike nuk ekziston më dhe si njeriun që tradhtoi shqiptarët. Por ajo paralajmëroi se kjo situatë do të marrë fund shpejt.

Ish-nënkryetarja e Partisë Demokratike Jozefina Topalli, ndryshe nga Lulzim Basha, nuk mendon se Edi Rama mori ndonjë mësim nga refuzimi i shqiptarëve që të votojnë. Ajo është e bindur që Partia Demokratike është në ditën më të zezë të saj dhe shqiptarët më të tradhtuar se kurrë.

Në një status të gjatë në rrjetet sociale, Topalli shkruan:

“Pas rreth 3 dekadash, PD nuk ka më asnjë pushtet. Partia Demokratike nuk është më as në Parlament dhe nuk ka më asnjë bashki. Me urdhrin për djegien e mandateve Lulzim Basha e nxorri atë me dhunë, jashtë parlamentit duke tradhtuar e fyer mbi 400 mijë demokratë, që votuan siglën e kësaj force politike. Me këtë, që është akti më i papërgjegjshëm i historisë së demokracisë, ai praktikisht i ftoi shqiptarët në luftë vëllavrasëse”.

Me mos hyrjen në zgjedhje, thotë Topalli, Lulzim Basha i dhuroi Ramës të gjitha bashkitë, të gjitha pushtetet.

“PD është jashtë çdo pushteti politik dhe lokal, ndërkohë që Edi Rama ka marrë çdo gjë. Demokratët e fundit të punësuar në bashkitë e djathta do jenë në mëshirën e Edi Ramës. Partia Demokratike praktikisht nuk është më. Dhe kjo është vrasja me mizore, që kreu i saj mund t’i bënte demokratëve”.

“Eksperimentin më të pamerituar për demokratet dhe për vendin”, e quan ish-nënkryetarja e Partisë Demokratike Jozefina Topalli kreun aktual Lulzim Basha, duke dhënë edhe një premtim për shqiptarët.

“Ti Lul kësaj radhe nuk mund të këndosh më mbi trupin që jep shpirt të partisë sonë. Njerëzit e lirë,nuk do lejojnë më, që as ti dhe as 3-4 shokët tuaj në pushtet dhe “opozitë” të mbajnë në dëshpërimin e dhimbjes e të pamundësisë, një popull që boll ka vuajtur në shekuj. Është koha për të ringritur Partinë Demokratike nga e para. Është koha për të larguar këtë klasë politike. Demokratët, shqiptarët do ia dalin”.

/ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!