Anëtari i kryesisë së PD Tomor Alizoti në “Mbrëmje në abc” ka folur për situatën e pandemisë në Shqipëri. Ai u shpreh se izolimi i vendit nuk ishte mënyra e duhur për menaxhimin e COVID-19.
Për Alizotin u bë një nënshtrim shumë i shpejtë i vendit. Alizoti e ka krahasuar kryeministrin Rama me një lider totalitar, pasi sipas tij një izolim i shoqërisë krijon një sistem totalitar.
Gjatë bisedës në studio anëtari i kryesisë së PD-së ka bërë një analizë të situatës në të cilët ndodhet vendi si pasojë e pandemisë, ndërsa shprehu një padakordësi lidhur me sjelljen e kryeministrit Rama.
“Njeriu mund të jetë dinjitoz vetëm në liri. Duke qenë i lirë formon dinjitetin. Një shoqëri e nënshtruar e ka të vështirë të ndërtojë dinjitet. Nëse shqiptarët nesër do të revoltohen për bukë, kjo nuk do të jetë një revoltë për lirinë.
E drejta individuale e njeriut është një e drejtë hyjnore. Këta jetojnë nga paratë e njerëzve këmbëzbathur, ata të shkretët mbajnë shtetin shqiptar, punëtorët, këta janë forca që nuk respektohen.
Detyra kryesore e çdo force që do të vijë në pushtet: Duhet të forcojë institucionet, demokracia bazohet në institucione. Në Shqipëri Gjykatë Kushtetuese nuk ka. Ka një nen në Kodin Penal shumë absurd që mund të burgosë deri në 15 vite. Shqipëria është kthyer në një teatër të marrë”, tha Alizoti.
Më tej ai theksoi se Shqipëria është drejt falimentit dhe në këtë kohë vendi ka nevojë për vendime konkrete. /abcnews.al