Tomas Szunyog: Kosova dhe Serbia duhet të bëjnë ndryshime kushtetuese në të ardhmen

schedule13:57 - 23 Tetor, 2020

schedule 13:57 - 23 Tetor, 2020

Përfaqësuesi special i BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog deklaroi se i takon Kosovës që të vendosë Asociacionin e komunave me shumicë serbe dhe se të dyja vendet në një të ardhme duhet të bëjnë ndryshime kushtetuese, si rrjedhojë e marrëveshjeve ndërkombëtare që kanë nënshkruar.

Szunyog  gjithashtu u shpreh se në aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese nuk parandalohet krijimi i Asociacionit.

“Sa i përket Asociacionit, e di shumë mirë që ka marrëveshje që nga viti 2013 dhe marrëveshja tjetër është e vitit 2015, dhe një vendimi të Gjykatës Kushtetuese dhe ky vendim në asnjë mënyrë nuk e parandalon krijimin e Asociacionit vetëm i cakton disa kufij që kanë të bëjnë me marrëveshjen e 2015 në fund të vendimit thuhet që statusi i Asociacionit duhet ti dërgohet prapë Gjykatës Kushtetuese. Pyetja ime në këtë rast është se cili është statusi?”, ka thënë Szunyog, shkruajnë mediat në Kosovë.

Ndërkohë ai u ndal edhe tek deklarata e të dërguarit special të BE-së për dialogun Miroslav Lajçka, për të cilën u shpreh se nuk është aspak shqetësuese, sikundër e kanë paraqitur.

“Sa i përket deklaratave që ka thënë Lajçak është diçka që unë nuk kam problem me atë çfarë ka thënë, kur ju negocioni marrëveshje ndërkombëtare këto janë ligjërisht obligative. Është fakt i padiskutueshëm që të dyja vendet do të duhet të bëjnë ndryshime kushtetuese për marrëveshjet ndërkombëtare që i kanë nënshkruar, sepse marrëveshjet ndërkombëtare bëhen ligjërisht obligative”, tha ai./abcnews.al/