Tiranë, rinis fushata e mbjelljeve së 100 mijë pemëve të reja

schedule17:29 - 21 Shtator, 2018

schedule 17:29 - 21 Shtator, 2018

Për të tretin vit radhazi në Tiranë do të nisë fushata e mbjelljes së pemëve. Kryetari i bashkisë kërkoi bashkëpunimin e qytetarëve për zhvillimin e kryqytetit.

Në Tiranë do të rinisë fushata e mbjelljes së 100 mijë pemëve. Kryetari i Bashkisë, Erion Veliaj, ftoi qytetarët t’i bashkohen nismës për qytetin gjatë aktivitetit “Për një Botë Plot Ngjyra” organizuar me rastin e Ditës së Bashkëpunimit Evropian.

Erion Veliaj, kryetar i Bashkisë së Tiranës: “Në qoftë se secili prej jush do të mbjellë një pemë për ditëlindje, Tirana mund të ketë edhe 100 pemë të tjera, ashtu si edhe 100 mijë pemët që mbollëm vjet. Ambicja jonë është që fushatën e mbjelljeve ta nisim muajin tjetër, nga fundi i tetorit. Ashtu siç na mëson edhe ky projekt bashkëpunimi, të gjithë duhet të japim një dorë”.

Përpara nxënësve të shkollave 9-vjeçare të Tiranës kryebashkiaku Veliaj theksoi se bashkëpunimi është kyç për të arritur progresin.

“Nëse e pengojmë njëri-tjetrin nuk vizatojmë dot, as nuk bëjmë dot piktura, as nuk mbjellim dot pemë, as nuk pastrojmë, sepse e kemi tërë kohën mendjen se si do t’i prishim punë tjetrit. Ndërkohë, kur bashkëpunojmë fitojmë të gjithë. Është shumë e rëndësishme të kuptojmë që në Europën ku duam të shkojmë bashkëpunimi është kyç. Europa është një vend që njerëzit nuk bëjnë luftë me njëri-tjetrin, nuk bëjnë sherre me njëri-tjetrin, nuk e pengojnë njëri-tjetrin, përkundrazi e ndihmojnë njëri-tjetrin”.

Tirana, sipas kryetarit të bashkisë, ofron të gjitha mundësitë që të rinjtë të shkëlqejnë në fusha të ndryshme./abcnews.al