Mashtrim me bursat amerikane/ Vihet në pranga i riu nga Devolli, Ermes Hoxhalli

schedule09:51 - 23 Korrik, 2024

schedule 09:51 - 23 Korrik, 2024

Një 20-vjeçar ka përfunduar në prangat e policisë pasi akuzohet si organizator i një skeme mashtrimi, ku iu premtonte qytetarëve programe mësimore dhe udhëtime falas në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Sipas policisë së shtetit, 20-vjeçari Ermes Hoxhalli banues në Devoll, kontaktonte mësues, studentë apo zyrtarë arsimorë si përfaqësues i projekteve të njohura që Ambasada amerikane organizon në Shqipëri. Programet u premtonin nxënësve dhe mësuesve, udhëtime falas në Shtetet e Bashkuara.

20-vjeçari Hoxhalli kishte arritur të krijonte një identitet tjetër, duke u angazhuar me zyrtarë të Ministrisë së Arsimit dhe shkollave në mbarë vendin. Po kështu Hoxhalli prodhonte dokumente që mbanin vulat dhe emrat e zyrtarëve të ambasadës. Ndaj të riut është caktuar masa e arrestit në burg për akuzën e ‘Falsifikimit të dokumenteve’ dhe ‘falsifikimit kompjuterik’.

Në këtë hetim kompleks që zgjati 6 muaj, pjesë ishte edhe njësia e Hetimeve Kriminale pranë Ambasadës së ShBA-së në Tiranë. Nga ana tjetër Ambasada amerikane në një reagim për mediat falënderoi drejtuesit e policisë së shtetit dhe prokurorisë së Tiranës për hetimin e rastit dhe arrestimin e autorit.

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!