Investojmë tek inovacioni, që fëmijët të marrin njohuri digjitale. Deklarata vjen nga kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj në hapje të një qendre laboratorike për fëmijë në kryeqytet.
Një qendër e re laboratorike e inovacionit ka hapur dyert në Tiranë. Fëmijët nga shtatë deri ne 14 vjec mund të mësojnë kurrikulat më të avancuara ndërkombëtare në robotikë, shkencë, teknologji, inxhineri dhe matematikë.
Kryebashkiaku Erion Veliaj shprehu gatishmërinë e bashkise se kryeqytetit për të mbështetur nisma të cilat synojnë të pajisin të rinjtë shqiptarë me njohuri digjitale, duke i përgatitur ata për sfidat e shekullit 21.
“Sot bashkia është në gjendjen më të mirë financiare dhe mund të japë subvencione, në formë bursash për fëmijët. Një qytet ka shumë sfida, por njerëzit nuk jetojnë vetëm me bukë; jetojmë edhe me këngë, art, kulturë, muzikë e libra. Por, jetojmë edhe me njohuri dixhitale. Kjo është arsyeja pse kemi vendosur që këtë vit, një pjesë të buxhetit që i japim organizatave të Shoqërisë Civile, të kalojë në fushën e teknologjisë dixhitale”.
Veliaj shkon më tej ndërsa thekson se ashtu si në Suedi edhe në Shqipëri shumë shpejt do të nisin klasat e kodimit.
“Nuk do të jetë e largët dita kur, ashtu siç Suedia vendosi të fusë gjuhën e kodimit kompjuterit në klasa e para, ta përqafojmë edhe ne si politikë tonën për klasat e Kodimit, në mënyrë që njohuritë dixhitale t’i fillojmë që me mësimin e ABC-së”.
Vënia në praktikë e njohurive në shkencë, teknologji, inxhinieri dhe matematikë me metodologjitë më moderne të mësimdhënies, do të ndihmojë fëmijët në zhvillimin e aftësive kyçe të zgjidhjes së problemeve, nxitjen e të menduarit kritik dhe kreativ si dhe promovimit të punës në ekip. /abcnews.al