Tirana këmbënguli deri në fund për ta mbajtur, Batha prezantohet sot në klubin e ri

schedule13:57 - 13 Qershor, 2021

schedule 13:57 - 13 Qershor, 2021

Idriz Batha ditën e djeshme përmes një njoftimi në rrjetet sociale zbuloi divorcin me Tiranën dhe i dha lamtumirën plot dashuri klubit bardheblu, ku kaloi dy sezonet e fundit, ndoshta më të suksesshmit në karrierë nga ana personale, por edhe ekipore.

Mesfushori pritet të transferohet te UTA Arad në Rumani. Mediet e vendit ballkanas raportojnë se palët kanë gjetur akordin për kontratën dhe kushtet e saj dhe pasditen e sotme do të vijë prezantimi i 29-vjeçarit nga Gjirokastra.

 

Batha do të zëvendësojë në këtë pozicion Alex Albu, që u transferua te Concordia këtë verë. Ndërkohë siç mësohet nga mediet rumune, Tirana ka këmbëngulur deri në fund për të mbajtur kapitenin e saj.

Deri para tre ditësh Tirana e konsideronte Bathën pjesë të ekipit të sezonit të ri, pavarësisht ofertave drejt lojtarit. Gjithsesi, më pas gjërat kanë ndryshuar shpejt dhe Batha ka vendosur të mos rinovojë me 25 herë kampionët, por të transferohet në Rumani.

Mesfushori i qendrës ishte lojtari kryesor i Tiranës këtë sezon, duke shënuar plot 9 gola dhe dhuruar 2 asiste. Pikërisht kjo formë ka ndikuar edhe në interesin nga jashtë vendit. Në sezonin e shkuar UTA Arad u rendit në vendin e 10 dhe këtë edicion kërkon të bëjë një skuadër më konkurruese. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!