Fitorja 2-0 kundër Lokomotiv Moscow i dhuroi Atletico Madrid kualifikimin në raundin e 1/8 në Champions League, ndërsa situata në kampionat nuk është aspak e mirë. Ekipi i Simeones renditet në vend të shtatë me 26 pikë, tetë larg kreut.
Ekipi po has vështirësi për të fituar jashtë fushe dhe për të shënuar gola. Diego Simeone është i akuzuari kryesor i kësaj gjendje, por trajnerit argjentinas i del në krah një legjendë e klubit spanjoll. Fernando Torres sqaron situatën në një deklaratë për Marca, aty ku nuk e kursen batutën në lidhje me krizën e golit të ekipit “Colchoneros”.
“Skuadra më duket shumë mirë. Sezoni ka ulje ngritje, por Atletico përgjigjet gjithmonë kur nisin ndeshjet e rëndësishme të sezonit. Simeone? Dyshimet mbi trajnerin vijnë nga jashtë. Diego e ka të qartë se çfarë duhet të bëjë dhe ia del t’i realizojë objektivat në fund të sezonit.
Nuk është normale të shohësh ekipin në këtë pozicion në renditje, por Atletico mbetet kompetitive. Mungesa e golit? E dëgjoj të flitet për një problem të tillë prej kohës që isha 17 vjeç, sulmuesit e ekipit janë fantastikë“, përfundon Fernando Torres. /abcnews.al