Vazhdojnë të dalin detaje të tjera nga skandali i vajzës së mitur të abuzuar seksualisht në Sarandë.
Avokati mbrojtës i të akuzuarit Bajram Tusha tha për ABC News se, i moshuari nuk është në gjendje të mirë psikike dhe se vuan nga humbja e kujtesës.
Ndër të tjera mbrojtësi i tij, deklaroi se kallëzimi është bërë pasi vajza është shtyrë nga i dashuri i saj si hakmarrje ndaj prindërve.
I rëndë qëndron fakti, se sipas avokatit, kallëzimi është bërë nga vajza jo vetëm ndaj 72 vjeçarit, por edhe ndaj babait, dhe personave të tjerë, të cilët kanë qenë miq të familjes, të cilët vajza i akuzon se kanë abuzuar me të.
Ky i fundit jetonte vetëm në shtëpi pasi bashkëshortja i kishte ndërruar jetë, ndërsa fëmijët ishin në emigracion.
Duke iu dhimbsur për shkak të gjendjes së tij të vetmuar, por nisur edhe nga fakti se po jetonin në banesën e të moshuarit, familja e vajzës e ndihmonte atë shpesh me punët e shtëpisë.
Pikërisht ky është momenti kur ka filluar abuzimi ndaj saj prej të moshuarit, sipas vajzës. Ajo ishte vetëm 9 vjeçe, kurse ai 64 vjeç, në atë kohë.
E pyetur se përse nuk ka denoncuar më parë, vajza është shprehur se nuk e ka bërë një gjë të tillë pasi besonte se prindërit nuk do ta mbështesnin për shkak të miqësisë me familjen e të moshuarit.
Dëshmia e plotë e avokatit të Bajram Tushës:
Avokati: Sapo ka përfunduar masa e sigurisë që ka të bëjë me të dyshuarin i cili akuzohet për veprën penale të abuzimit seksual me të mitur. Prokuroria e rrethit Sarandë kërkoi arrestin me burg dhe vlerësimin si të ligjshëm të arrestit të klientit tim.
Gjatë seancës gjyqësore të zhvilluar me dyer të mbyllura u vërtetuan këto fakte: gjithë historia është ngritur mbi kallëzimin e të miturës dhe të dashurit të saj, të cilët të dy bashkë dhe veç e veç, të cilët akuzonin prindërit, babain (e mitura), të ndaluarin, dhe persona të tjerë, se kishin abuzuar seksualisht.
Prokuroria kishte kryer veprime të tjera, një prej tyre ishte dhe përgjimi ambiental i cili nuk jepte ndonjë fakt për atë çfarë dyshohet. Gjatë debatit i parashtruam prokurorisë dhe policisë gjyqësore që të tentonin dhe të vazhdonin të hetonin shkaqet e kallëzimit.
Çfarë kanë personat mes njëri-tjetrit, cilat janë kontradiktat midis kallëzueses dhe familjes. U vërtetua në sallë të gjyqit se vajza kishte 2 javë që kishte ikur nga shtëpia dhe ishte vendosur te shtëpia e Gentjan Rucit. Në të njëjtën kohë familja ishin paraqitur disa herë pranë shkollës dhe pranë shtëpisë së Gentjan Rucit, dhe i kishin kërkuar këtij të fundit, që të largohej nga vajza e tyre. Këto ishin shkaqet që sipas mendimit tonë kishin sjellë pasojën e një kallëzimi që nuk vërtetohet se ngjarja ka ndodhur vërtetë.
Gjatë seancës gjyqësore i dyshuari ka thënë vetëm një deklaratë; “-se ishte në burg vetëm për shkak se këtë familje e kishte ndihmuar, për më tepër motrën e të miturës e kishte nuse për djalin”. Pra krijohet bindja se kallëzimi është bërë thjesht si shtytje, ose është detyruar nga një person i cili njihet si i dashuri i të miturës.
Pyetje: Në përgjimin ambiental cilët kanë qenë personat e policisë?
Avokati: Nuk mund të jap emra por janë persona që janë përmendur në kallëzimin e të miturës. Sipas nesh kallëzimi kishte lidhje jo vetëm me babain dhe mamanë e saj por edhe me miq të familjes. Familja është duke marrë masat, dhe është duke bërë procedura të tjera, që kanë të bëjnë me vepra penale detyruese ndaj vajzës, që ka bërë një kallëzim të rremë. Prindërit dyshojnë se ky person e ka shtyrë vajzën të bëjë këtë kallëzim.
Pyetje: Prokuroria çfarë kërkon?
Avokati: Kërkon kohën e domosdoshme për të kryer hetime të tjera që ajo mendon si të domosdoshme; si hetime për ekzaminimin psikiatrik të të gjithë personave që janë kallëzuar, por edhe të kallëzuesve sepse të dhënat janë kontradiktore në atë çfarë janë deklaruar.
Pyetje: Nga të dhënat e familjarëve mësohet se gjendja e 70 vjecarit është e rënduar, si është ai ?
Avokati: Ai vazhdon në një gjendje të rënduar. Ne i kërkuam prokurorisë dhe gjykatës që ta kalojë menjëherë përpara një komisioni mjeko-ligjor për një vlerësim të përgjithshëm, sepse në fund të fundit mosha që ka dhe paraqitja e tij tregonte gjendje të rënduar.
Pyetje: A ka qenë i vetëdijshëm në atë çfarë thoshte në gjyq?
Avokati: Sot ka qenë më i qetë por sot në polici, në momentin që është marrë në pyetje, ka qenë i pavetëdijshëm. Familjarët e tij thonë se vuan nga humbja e kujtesës dhe për shkak të moshës, dhe për shkak të vështirësive të jetës./abcnews.al