The Economist: Lufta në jug të Gazës do të jetë edhe më e ashpër

schedule11:45 - 28 Nëntor, 2023

schedule 11:45 - 28 Nëntor, 2023

The Economist

Momentet e rralla të paqes pas javësh ankth do të jenë jetëshkurtër në Izrael dhe Gaza, me më shumë luftime dhe ndoshta më të ashpra që priten në gjysmën jugore të enklavës herët a vonë, paralajmëron The Economist.

Armëpushimi mund të zgjasë edhe disa ditë por kur të përfundojë, luftimet që pasojnë mund të jenë më të këqija se sa më pare.

Armëpushimi me të vërtetë mund të zgjatet më tej. Hamasi ka një interes të qartë për ta bërë këtë. Një armëpushim i zgjatur do t’u jepte kohë komandantëve ushtarakë të grupit për t’u rigrupuar dhe përgatitur, si për të sulmuar trupat izraelite të vendosura në Gazën veriore, ashtu edhe për të mbrojtur jugun, ku ushtria izraelite nuk ka bërë ende një inkursion të madh, raporton abcnews.al.

Kjo do të çonte gjithashtu në më shumë presion mbi Izraelin për të mos vazhduar luftën. Gjithashtu, familjet e pengjeve dëshirojnë që marrëveshja të zgjatet. Po kështu edhe presidenti i Amerikës, Joe Biden.

Megjithatë, në një moment, Hamasi nuk do të ketë më pengje për t’i liruar në shkëmbim të një raundi tjetër negociatash. Kur armëpushimi të arrijë fundin e tij të pashmangshëm, Izraeli do të fillojë luftën kundër Hamasit.

Duke folur nga Gaza të dielën, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu tha: “Ne kemi tre qëllime për këtë luftë: Eliminimin e Hamasit, kthimin e të gjithë pengjeve tona dhe sigurimin që Gaza të mos bëhet më kurrë një kërcënim për Shtetin e Izraelit”.

Në fazën tjetër të luftimeve, trupat izraelite do të vazhdojnë të pastrojnë rrënojat e Gazës veriore për tu futur në tunele, për të marrë asete të tjera ushtarake. Ata nuk kanë hyrë ende në disa pjesë të rajonit, duke përfshirë Sujaiya, në lindje të qytetit të Gazës.

Ata gjithashtu do të fillojnë të kthejnë vëmendjen e tyre diku tjetër. Zyrtarët janë në mëdyshje se si mund të vazhdojnë në jug. Ata nuk mund të dërgojnë lehtësisht njësi të blinduara për të dominuar zonën siç bënë në veri, sepse është plot me civilë që janë zhvendosur nga veriu, raporton abcnews.al.

Në vend të kësaj, ata mund të kërkojnë ta bëjnë këtë pjesë-pjesë, duke filluar me qytetin qendror të Khan Younis, dhe duke u përpjekur të kufizojnë banorët në Gaza në një “zonë humanitare” pranë bregut.

Rreziqet

Megjithatë, kjo ka rrezik. Civilët do të duhet të zgjedhin midis grumbullimit në një pikë të shkretë dhe fshehjes në shtëpitë e tyre ose strehimore të improvizuara.

Të dyja mund të kenë pasoja të rënda. Lufta në zona me popullsi të dendur pa armaturë do të jetë gjithashtu më e rrezikshme për trupat izraelite.

Është e vështirë të vlerësohet fuqia e Hamasit, shumica e luftëtarëve të tij besohet se fshihen në tunele por oficerët izraelitë thonë se pothuajse gjysma e njësive të tij kanë pësuar shumë viktima.

Të dielën, Hamasi konfirmoi se Ahmed al-Ghadour, kreu i brigadës së tij veriore, ishte vrarë më herët në luftë. Anëtar i këshillit ushtarak të organizatës dhe kreu i një prej pesë komandave rajonale të saj, ai është një nga luftëtarët e rangut më të lartë që dihet se ka vdekur që nga 7 tetori.

Ka gjithashtu raporte për një reagim të ashpër brenda radhëve të organizatës, veçanërisht nga ata të dislokuar në veriun e shkatërruar, ku komandantë të tjerë të Hamasit janë vrarë dhe kushtet janë të zymta.

Megjithatë, Hamasi nuk është as afër dorëzimit dhe padyshim që do të luftojë më shumë në jug, duke bërë atë që mund të jetë një përpjekje e fundit për të rezistuar, raporton abcnews.al.

E gjithë kjo ka shqetësuar Amerikën. Biden ende nuk ka bërë thirrje për një armëpushim, por ekipi i tij është i shqetësuar për planin e Izraelit për një ofensivë të madhe në jug.

“Unë e kam inkurajuar kryeministrin izraelit që të fokusohet në përpjekjen për të reduktuar numrin e viktimave ndërsa përpiqet të eliminojë Hamasin, që është një qëllim legjitim që ai ka,” tha ai në ditën e parë të armëpushimit.

“Kjo është një detyrë e vështirë dhe nuk e di sa kohë do të zgjasë”.

Amerika do të donte që Izraeli të pezullonte fushatën e tij në jug, veçanërisht pasi Netanyahu nuk ka asnjë plan për atë që do të ndodhë me Gazën pas luftës.

Mund të inkurajojë Izraelin të vazhdojë ofensivën e tij në veri dhe ta mbajë jugun të bllokuar, tani për tani, me një fluks të zgjeruar ndihme humanitare përmes Egjiptit.

Anthony Blinken, sekretari i shtetit amerikan ka vizituar sërish rajonin.Kështu do të bëjë edhe presidenti francez Emmanuel Macron, i cili ka bërë thirrje për një armëpushim të qëndrueshëm, raporton abcnews.al.

Nëse Amerika i bën presion Izraelit të vetëpërmbahet, ajo mund t’i kursejë 2.2 milionë banorëve të Gazës një raund tjetër luftimesh dhe zhvendosjesh.

Por do t’i linte gjithashtu të mbërthyer në një enklavë të mbushur me dëshpërim, madje më e vogël se ajo ku jetonin më parë, nën një regjim pjesërisht të shpërbërë të Hamasit, thekson The Economist.

/abcnews.al