Thaçi dënon deklaratën e Vuçiç në veri të Kosovës

schedule17:47 - 11 Shtator, 2018

schedule 17:47 - 11 Shtator, 2018

Presidenti i Kosovës ka thënë për mediat kroate se beteja me Serbinë zhvillohet në Bruksel. Thaçi ka dënuar edhe fjalimin e presidentit Vuçiç, ku lartësoi figurën e Millosheviçit gjatë vizitës në Veri të Kosovës.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në një intervistë për mediat kroate, ka folur lidhur me dialogun me Serbinë. Ai nënvizon se do të jetë shumë e vështirë të arrihet paqja me Beogradin, por sipas tij, mënyra e vetme drejt zgjidhjes është dialogu.

“Pa një marrëveshje të fqinjësisë së mirë dhe një njohje reciproke mes Kosovës dhe Serbisë nuk ka prespektivë për NATO dhe BE. Rruga e vetme është dialogu, negociatat dhe marrëveshjet që janë me interes të përbashkët. Unë nuk jam naiv të them që duhet të fitojë vetëm Kosova. Nëse arrihet marrëveshja Kosovë-Serbi duhet të jemi fitues të dy palët dhe paqja e stabiliteti në Ballkanin Perëndimor. Sot e lehtë është të kritikosh. Beteja me Serbinë zhvillohet në tavolinë, zhvillohet në Bruksel dhe nuk zhvillohet kafeneve me thashetheme dhe me mentalitet të së kaluarës”, tha Thaçi.

Vetë RTL-ja e Kroacisë shkruan se gjatë vizitës në Kosovës të lejuar nga autoritetet kosovare, presidenti Vuçiç e ka shokuar publikun me një fjalim skandaloz në Mitrovicë. Ky fjalim i tij është dënuar edhe nga Thaçi.

“Unë besoj që ky ka qenë një gabim jo i vogël glorifikimi i rolit të Sllobodan Millosheviçit, kur dihet se ai është kasapi i Ballkanit nga Sllovenia deri në Kosovë dhe ndërlidhet drejtpërdrejtë me përgjegjësitë e gjenocidit të kryer në Kosovë”, u shpreh Hashim Thaçi.

I pyetur nga media kroate nëse është befasuar nga dalja relativisht e dobët e serbëve në tubimin e Vuçiç, presidenti i Kosovës ka thënë se nuk merret me numrin e njerëzve që kanë marrë pjesë dhe se për të është shumë më i rëndësishëm fakti që vizita ka kaluar pa incidente. Ndër të tjera Thaçi nënvizoi se të gjithë qytetarët e Kosovës mbështesin integrimin e vendit në BE dhe NATO./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!