Thaçi dekreton 6 tetorin për zgjedhjet e parakohshme

schedule16:26 - 26 Gusht, 2019

schedule 16:26 - 26 Gusht, 2019

Për herë të parë që nga përfundimi i luftës, një parti politike në Kosovë ka propozuar një grua për postin e kryeministrit. Bëhet fjalë për LDK-në, që ka mandatuar për këtë detyrë Vjosa Osmanin. Vetë Osmani ka lënë pas në këtë garë kandidatin tjetër Lutfi Haziri, një figurë kyçe e LDK-së.

Vjosa Osmani edhe zyrtarisht është nominuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës si kandidate e kësaj partie për kryeministre të Kosovës. Kjo është hera e parë në historinë e Kosovës së pasluftës që një parti nominon një femër kandidate për kryeministri. Ndonëse ishte e 83, Vjosa Osmani ka qenë deputetja më e votuar në mandatin e kaluar. Ndërsa Lutfi Haziri, i cili pretentonte këtë kandidim do të jetë bartës i listës.

Mustafa: “Arritëm marrëveshje me konsensus të plotë. Për kandidat e kemi pas z.Lutfi Haziri dhe zonja Vjosa Osmani. Edhe mbi bazën e vullnetit, edhe propozimit të z.Haziri, jemi përcaktuar për zonjën Vjosa Osmani”.

Osmani: “Do të punojmë për të nxjerrë vendin nga humnera ku e kanë vendosur njerëz të pandërgjegjshëm, të korruptuar, që asnjëherë interesin e qytetarit s’e kanë pasur prioritet. I garantoj qytetarit se asnjëherë nga sot nuk do të ndihen se s’kanë zë. Në veçanti, nënat, gratë, vajzat”.

Haziri:Gjithmonë ka pasur tolerancë, bashkëpunim e vlerësim me racionalitet që kanë sunduar si vlera politike të partisë”.

Kjo parti ende nuk ka vendosur nëse në këto zgjedhje do të garojë si parti e vetme apo do të bëj koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje. Derisa PDK-ja ka paralajmëruar befasi rreth koalicioneve parazgjedhore, AAK-ja tashmë ka zyrtarizuar koalicionin parazgjedhor me PSD-në, ndërsa AKR-ja me Nismën SocialDemokrate. Ndëkrohë presidenti Hashim Thaçi ka marrё vendim për shpalljen e zgjedhjeve tё parakohshme më 6 tetor. Presidenti ka udhëzuar KQZ-në t’i ndërmarrë tё gjitha veprimet e nevojshme për organizimin dhe mbajtjen e këtyre zgjedhjeve.

/ABC News Albania 24/7