Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë do të vazhdojë sot seanca për paraqitjen e deklaratave përfundimtare në çështjen penale ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, si dhe Bashkim Smakajt, Isni Kilajt, Fadil Fazliut dhe Hajredin Kuçit.
Të pandehurit akuzohen për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë. Prokuroria e Specializuar ka kërkuar gjashtë vjet burgim për Hashim Thaçin, nga tre vjet për Bashkim Smakajn, Isni Kilajn dhe Fadil Fazliun, si dhe nëntë muaj burgim për Hajredin Kuçin.
Këto kërkesa janë kundërshtuar nga ekipet e Mbrojtjes, të cilat kanë kërkuar që të gjithë të akuzuarit të shpallen të pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës.
Avokatja e Hashim Thaçit, Sophie Menegon, ka deklaruar se nuk ka ekzistuar ndonjë grup i organizuar që ka synuar të pengojë administrimin e drejtësisë. Sipas saj, provat e paraqitura nga Prokuroria për të mbështetur akuzat janë të pabazuara.
Mbrojtja ka argumentuar gjithashtu se veprimet për të cilat akuzohet Thaçi nuk kanë ndikuar në procesin gjyqësor, duke theksuar se ndaj tij bëhet fjalë për një akuzë për tentativë ndërhyrjeje dhe jo për një vepër penale të përfunduar.
Të gjitha ekipet e Mbrojtjes kanë përfunduar parashtrimet e tyre përfundimtare. Seanca pritet të vazhdojë sot në orën 10:30, sipas kohës lokale, me përgjigjet dhe komentet e palëve përpara Gjykatësit të Vetëm.

