E diela është e gjitha për derbin, kurse të shtunën sytë janë nga Durrësi. Teuta dhe Kukësi përballen mes tyre, në një ndeshje që luhet prej orës 16:00. “Djemtë e Detit” synojnë të marrin maksimumin dhe të tregojnë që janë edhe ata në gjendje të luftojnë për titullin kampion.
Trajneri Bledi Shkëmbi po mendon për formacionin që do të zbresë në fushë. Shqetësimi kryesor lidhet me fantazistin Sherif Kallaku, i cili u dëmtua në ndeshjen me Tiranën dhe ka munguar në takimet e fundit.
Këtë javë mesfushori i Shqipërisë U21 është bashkuar me grupin, por normalisht i duhet të fitojë ritmin e shokëve. Tekniku korçar ka dilema për aktivizimin nga minuta e parë. Sot dhe nesër do e shohë me vëmendje gjendjen e Kallakut dhe më pas do të vendosë.
Teuta në ndeshjen me Kukësin ka dy mungesa të sigurta. Mesfushori Albano Aleksi është i pezulluar, pasi ka plotësuar numrin e katër kartonëve të verdhë. Për arsye dëmtimi mbetet sërish jashtë edhe Fabian Beqja, lojtari polivalent i durrsakëve. /abcnews.al