Teuta bie në Laç, Bylisi e Kukësi tregojnë “muskujt”

schedule14:55 / 23/10/2019

Bylisi ngjitet në krye të klasifikimit pas fitores së arritur me Tiranën. Ballshiotët shfrytëzuan humbjen e Teutës, që në Laç pësoi tre gola. Kukësi ka bërë kthesën, duke kryer detyrat e shtëpisë me Luftëtarin e vendit të parafundit. Katër gola të shënuar dhe një i pësuar për verilindorët, që ngjiten në vendin e tretë në klasifikim.

NDESHJET – Teuta vuan kur shkon në Laç dhe kështu ndodhi edhe sot. Durrsakët dorëzuan kreun e renditjes, pasi pësuan tre gola nga kurbinasit. Ekipi i drejtuar nga Armando Cungu arriti të shënonte dy herë në pjesën e parë me anë të sulmuesi Kyrian Nwabueze. Të parin amerikano-niegeriani e realizoi me penallti. Me fillimin e pjesës së dytë Xhixha shënoi edhe golin e tretë, duke bërë që Teuta të mos kishte më shpresa. Skuadra e Shkëmbit bëri një ndeshje të dobët, që e kthen me këmbë në tokë. Titulli do gjunjë.

Nwabueze dhe Xhixha festojnë golin e dytë

Kukësi nuk e ka pasur të vështirë me Luftëtarin. Ndeshja nisi më së miri, me Ethemin që me portën e boshatisur shënoi pas pasimit të Shkurtajt. Sulmuesi vlonjat më pas realizoi pas një asistë të Abazajt dhe skuadra e Duros shkoi drejt dhomave të zhveshjes me avantazhin e dy golave. Goli i tretë erdhi me penallti nga Rroca, i cili e fitoi dhe e ekzekutoi vetë. Çela për Luftëtarin shënoi golin e nderit, ndërkohë që Shkurtaj më pas realizoi edhe të katërtin.

Në Ballsh Bylisi tregon forcën ndaj Tiranës dhe për 25 minuta shënon dy herë. Goxha i harruar në zonë shënoi golin e parë, kurse më pas Batha gaboi në mesfushë dhe Guindo pasi shmangu portierin shënoi edhe golin e dytë. Në 45 minutat e dyta Tirana u mundua të hapte takimin dhe ia doli të shënonte me Dungën. Gjithsesi Celis me një gjuajtje nga distanca befasoi Bakajn dhe me golin e tretë të pësuar Tirana “kapitulloi”.

KATEGORIA SUPERIORE – JAVA 9
E mërkurë, 23 tetor 2019
Kukësi-Luftëtari 4-1
Shënues:
Ethemi 2′, Shkurtaj 26′, 63′ Rroca 50′ (pen.) / Çela 56′
Laçi-Teuta 3-0
Shënues:
Nwabueze 18′ (pen.), 28′, Xhixha 50′
Bylis-Tirana 3-1
Shënues:
Goxha 5′, Guindo 25′, Celis 71′ / Dunga 65′

/abcnews.al

Renditja e Kategorisë Superiore

schedule14:55 / 23/10/2019