Emra pafund që lakohen në merkato. Madje edhe te Partizani që e ka ende të bllokuar merkaton. Arinaldo Rrapaj e ka gjetur marrëveshjen me të kuqtë prej kohësh, por te Flamurtari nuk e lënë të lirë me pretendimin se ka edhe një vit kontratë.
Mesfushori i është drejtuar Dhomës Kombëtare të Zgjidhjes së Konflikteve dhe pret që të dalë i lirë pas gjyqit. Te Partizani ndërkohë kërkojnë edhe lojtarë të tjerë për mesfushën dhe “Panorama Sport” veçon dy emra nga Bylisi: Valentino Murataj dhe Donald Mëllugja. Të dy kanë spikatur vjet me ballshiotët dhe presidenti Besnik Kapllanaj zor se heq dorë prej tyre.
E njëjta gazetë shkruan edhe për një objektiv të Kukësit për mbrojtjen, si dhe për katër emra që janë në tavolinën e drejtuesve të Vllaznisë. Verilindorët po tentojnë të afrojnë Alban Pnishin për mbrojtësin.
Qendërmbrojtësi ka qenë pjesë e përfaqësueses së Kosovës, ndërkohë që në Zvicër ka luajtur me Wohlen dhe Grasshopper. Dy sezonet e fundit është aktivizuar në Izrael me Bnei Sakhnin dhe Bnei Yehuda.
Te Vllaznia situata është më e komplikuar, pasi nevoja për lojtarë është e madhe. Dy mesfushorë qendre lakohen si objektiva të shkodranëve. Njëri është mesfushori Erald Hyseni, që së fundmi ka qenë pjesë e Luftëtarit. Tjetri është Fjoart Jonuzi, i cili nga Laçi kaloi te Gjilani verën e shkuar dhe në Kosovë ka luajtur rregullisht si titullar.
Në skenë ka dalë edhe Arlind Kalaja, i cili pas largimit nga Vllaznia ka luajtur me Kukësin, Kastriotin e Teutës. Një dëshirë merkatoje është edhe Nazmi Gripshi, për të cilin drejtuesit kuqeblu duhet të gjejnë gjuhën e përbashkët me Skënderbeun që e ka nën kontratë anësorin. /abcnews.al