Policia e Shkodrës dhe Prokuroria duket se nuk e ndriçojnë dot ngjarjen e rëndë që ndodhi të shtunën e kaluar. Ende nuk ka të dyshuar, apo motive të qarta përse u vendos një sasi ekzplozivi aq e madhe dhe që shpërtheu në mes të turmës së njerëzve që ishin në Pazar.
Të shtunën e kaluar shumë qytetarë të Shkodrës vrapuan të tmerruar. Disa nga ta morën plagë të lehta, por tetë persona u dëmtuan rëndë nga shpërthimi i afro 800 gramë tritoli.
Eksplozivi ishte vendosur në një motor të vogël, i cili tre minuta para u parkua pranë makinës së Lulzim Kullës. Ky mendohet shënjestra e atentatit me shpërthim të telekomanduar.
Por policia edhe pas kaq ditësh nuk ka gjetur pronarin e motorit, i cili rezulton i paregjistruar. Duhet thënë se motora të tillë të vegjël gjenden me shumicë në qytetin e Shkodrës.
Shpërthimi ishte aq i fuqishëm saqë preku një rreze të gjerë mes popullatës tek tregu në lagjen Rus.
Hetuesit thonë se s’kanë gjetur asnjë gjurmë, përveç dyshimeve se atentatorët kanë patur për qëllim të vrasin Lulzim Kullën, një person me të kaluar kriminale. Por megjithatë specialistët nuk mund të shpjegojnë pse duhej një shpërthim i tillë për të vrarë një person sado i rrezikshëm ai.
47 vjeçari ndodhet ende në spital në Tiranë në gjendje të rëndë bashkë me dy të tjerë, kurse të plagosurit e tjerë kanë dalë nga rreziku./abcnews.al