Sytë të gjithë i kanë te shpëtimi i njerëzve të mbetur në ndërtesat e rrënuara nga tërmeti që ra në orët e para të ditës së sotme dhe më këtë momente të flasësh për futboll është diçka që nuk i shkon ndokujt ndërmend. FSHF ende nuk ka marrë një vendim në lidhje me çfarë do të ndodhë në fundjavë, por shanset që të kemi një shtyrje të kampionatit janë të mëdha.
Ditën e sotme ishte programuar një takim mes shefave të klubeve të Superiores dhe Kategorisë së Parë. Bëhej fjalë për një trajnim për organizimin e ndeshjeve të kampionatit, përdorimin e sistemit COMET, marrëdhëniet me tifozët, delegatët e të tjera tematika.
Aktiviteti i parashikuar të zhvillohej në “Air Albania Stadium” është shtyrë, ndërkohë që mbetet për t’u parë se çfarë do të ndodhë me Superioren. Në situatën e vështirë që ndodhet vendi ynë, teksa prej tërmetit ka disa të vdekur dhe qindra të lënduar, futbolli kalon në plan të dytë.
Gjithsesi ky është një vendim që i takon FSHF-së, në bashkëpunim me klubet. Padyshim ka një shok psikologjik të gjithë qytetarëve të vendit tonë, që kanë kaluar orë të vështira dhe presin lajme të mira për bashkatdhetarët e tyre. /abcnews.al