Tërmeti në Korçë, fillon ndërtimi i shtëpisë së parë në Floq

schedule22:30 - 16 Korrik, 2019

schedule 22:30 - 16 Korrik, 2019

Ka nsiur rindërtimi i banesave të fshatit Floq, të shkatërruara plotësisht nga tërmeti i para një muaji. Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, tha se prioritet është ndërtimi para aardhjes së dimrit, i 124 shtëpive të pabanueshme.

Lutjet e banorëve të Floqit janë dëgjuar. Atyre nuk do t’u duhet të qëndrojë gjatë në ambientet e shkollës së fshatit, pasi tashmë ka nisur procesi i rindërtimit të banesave të tyre.

Këtë të martë ka filluar puna për rindërtimin e banesës së parë të shkatërruar plotësisht nga tërmeti i rënë në muajin qershor, ndërsa këtij procesi pritet t’i nënshtrohen edhe banesat e tjera.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku inspektoi punimet në terren, ku tha se prioritet në këtë proces do të ketë ndërtimi i 124 shtëpive të dëmtuara plotësisht. Punimet për to do të fillojë menjëherë në mënyrë që banorët e Floqit të futen në shtëpitë e tyre pa ardhur stina e dimrit.

Në një kohë të shpejtë,pritet të fillojë puna edhe për ndërtimin e shtëpive të dëmtuara nga tërmeti në Qafëzez dhe Vidohovë. Ndërtimi i banesave është bazuar në disa standarde specifike, që përmbushin nevojat e banorëve .

Fondi për riparimin e 40 shtëpive të para është siguruar nga investitorët e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë,ndërsa të gatshme, përveç bashkive të vendit janë treguar edhe bizneset dhe përfaqësitë diplomatike./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!