Thellohet bilanci tragjik i tërmetit të 26 nëntorit. Trupat e 46 personave të pajetë janë nxjerrë në total nga rrënojat e banesave të shkatërruara nga lëkundjet e forta sizmike me magnitudë 6,4.
Sipas informacionit më të fundit nga Policia e Shtetit dhe Ministria e Mbrojtjes, trupat e 22 viktimave janë nxjerrë nga rrënojat e banesave në Durrës, 22 persona të pajetë rrënojat e Thumanës, një persona nga Kurbini është hedhur nga banesa e tij nga paniku i tërmetit, ndërsa 26-vjeçari Kristjan Preçi është dëmtuar gjatë tërmetit dhe ka humbur jetën si pasojë e aksidentit rrugës për në spital.
Ende dyshohet se gjendet një trup i pajetë në lagjen numër 6 në Durrës.
Orët e pasdites, forcat e kërkim-shpëtimit mundën të nxirrnin nga rrënojat 4 anëtarë të familjes Lala, ndër të cilët nënën Marjeta me dy binjakët e saj Dionis dhe Dionisa si dhe djalin tjetër Emilio.
Në Durrës vazhdojnë punën ekipet e shpëtimit për të gjetur personat e mbetur atje.
Ndërkohë janë përcjellë për në banesën e fundit 4 anëtarët e familjes Reçi, për të cilët gjatë paradites së sotme u bënë homazhe në pallatin e kulturës së qytetit.
Ekipet e emergjencës vazhdojnë sistemimin e personave që kanë mbetur pastrehë në çadra dhe hotelet e rrethit të Durrësit.
Sipas njoftimit më të fundit të Ministrisë së Shëndetësisë 790 të lënduar kanë marrë trajtim në spitalet që ofrojnë shërbim 24 orë pranë kampeve të emergjencës.
Aktualisht të shtruar janë 65 të lënduar, gjendja e të cilëve paraqitet e stabilizuar, përveç 3 personave që janë deri tani me gjendje të rënduar. Gjatë operacioneve, u shpëtuan 45 banorë të cilët kishin mbetur nën rrënoja.
Ekipet e ngritura në terren kanë siguruar pajisje dhe medikamente për të sëmurët kronikë. Të gjitha qendrat shëndetësore pranë zonave të prekura nga tërmeti janë në gatishmëri të përforcuar. Grupet e verifikimit të banesave ndodhen në terren për të verifikuar dëmet e tërmetit.
Lëkundjet sizmike për fat të keq kanë vijuar përgjatë gjithë ditës, duke kulmuar në orën 11.52, me magnitudë 5./abcnews.al