Tërmetet, banorët flenë në oborre dhe çadra

schedule23:50 - 2 Qershor, 2019

schedule 23:50 - 2 Qershor, 2019

Në fshatin Qafëzez të bashkisë Ersekë janë dëmtuar  mbi 70 banesa nga tërmetet e së shtunës. Banorët janë strehuar në çadra ndërsa një pjesë e tyre e kalojnë natën në oborre pasi nuk duan të braktisin bagëtitë. ABC News ishte në këtë fshat dhe solli materialin në vijim.

Fshati Qafëzez është ndër më të prekurit nga tërmeti i së shtunës. Mbi 70 banesa rezultojnë të dëmtuara dhe gjysma prej tyre janë të pabanueshme. Muret kanë pësuar çarje. Çatitë kanë rënë përtokë dhe po ashtu strukturat mbajtëse janë shkëputur nga lëkundjet e forta sizmike, që vijuan gjatë ditës me magnitudë më të ulët.

Banorët braktisën shtëpitë dhe e kaluan natën në makina. Të tjerë nuk kanë pranuar të largohen nga banesat e dëmtuara nga frika mos ju vjedhin bagëtitë, duke u gdhirë nëpër oborre në të ftohtë dhe në shi.

“Mua më ka ikur muri, tavanet kanë rënë. Jashtë të gjitha. Jashtë në oborr. Kishim lopët. Djali vajti fjeti në çadër, ne fjetëm përjashta”.

“Çatia është prishur, muret janë dëmtuar, orenditë po e po. Edhe garazhet e akinave janë dëmtuar”.

E vështirë ka qenë nata edhe për familjet që u vendosën në 5 çadrat që sollën Emergjencat Civile. Banorët ankohen se nuk ka ndriçim,numri i krevatëve është i pamjaftueshëm.

“Dy krevatë, ç’të bëjmë ne jemi tetë vetë në familje. Jam me tension. Nuk rrijmë dot plevicave o bir. Kanë njerëz që janë nëpër plevica jo në çadra”.

“Erdhën na panë, si do ju ndihmojmë dhe asnjë gjë. Vetëm çadrat, dy krevatët dhe katër kuvertat”.

Një ekip mjekësh dhe infermierësh po asiston me shërbim 24 orë banorët e fshatit, të cilët kanë shfaqur gjendje të rënduar psikologjike për shkak të humbjes së shtëpive. Po ashtu janë trajtuar me këshilla psikologjike edhe mjaft fëmijë për shkak të përjetimeve nga lëkundjet e forta sizmike.

“Kemi menaxhuar dy pleq  nga Qafëzezi që ishin traumatizuar. Kemi organizuar punën dhe i kemi dhënë porosi personelit që gjatë gjithë kësaj kohe të jenë në gatishmëri”, tha Mimoza Pulina, drejtoreshë e qendrës shëndetësore Mollaj.

Dëme nga tërmeti janë raportuar edhe në mbi 50 banesa në fshatra të zonës së Kolonjës. Në të gjithë rajonin e Korçës janë mbi 185 banesa të dëmtuar, 60 % e të cilave të pabanuara. Nga tërmetet, 230 banorë mbetën pa shtëpi dhe janë strehuar në çadra./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!