Tentuan të kalonin kufirin, gjoba dhe të arrestuar në Durrës

schedule11:43 - 19 Nëntor, 2018

schedule 11:43 - 19 Nëntor, 2018

Dy shoferë kamioni janë arrestuar në flagrancë në Portin e Durrësit, pasi fshehën në mjetet e tyre dy persona që të kalonin ilegalisht kufirin. Gjatë kontrollit në vijën e dytë të kamionit me drejtues Erion Rucajn, 39 vjeç, u gjet i fshehur në kabinë, tek krevati i shoferit G. T. 37 vjeç, lindur në Kosovë. Ky i fundit do të kalonte kufirin në mënyrë të paligjshme me linjën Durrës-Ancona për në Itali, duke paguar Rucajn me 1.500 euro. G. T. u ndëshkua me gjobë 20 mijë lekë të reja.

Ndërkohë gjatë kontrollit të mjetit me drejtues Kastriot Gjinin, 40 vjeç, gjatë kontrollit brenda në kamion u gjet E. N. 23 vjeç. Ai do të kalonte kufirin në mënyrë të paligjshme duke u ndihmuar nga shoferi. Kamioni ishte i plumbosur dhe shoferi kishte prerë litarin dhe e kishte futur brenda nga mushamaja e trajlerit. Nga kontrolli në sistemin TIMS, 23-vjeçari është deportuar nga Norvegjia për qëndrim ilegal dhe punësim ilegal. Për të kaluar në Itali do të paguante 2.500 euro shoferin Kastriot Gjini. E.N u ndëshkua me gjobë 20 mijë lekë të reja.

Gjithashtu gjobë prej 20 mijë lekësh të reja u dha edhe për Z.GJ., 39 vjeç, E.P., 31 vjeç. Ata u  ndëshkuan për shmangie të verifikimit kufitar. Po gjatë kontrolleve, u kap Z. C. 17 vjeç, duke kaluar në mënyrë të paligjshme rrethimin e jashtëm me qëllim për të kaluar në tragetin e linjës Durrës-Ancona. Njëkohësisht gjatë kontrollit në sheshin e eksporteve i fshehur poshtë një kamioni u kap D. S. 22 vjeç, lindur në Dibër. Ai qëndronte i fshehur poshtë kamionit midis gomave. Ai u procedua për shmangie të verifikimit kufitar me 20 mijë lekë të reja gjobë.

Ndërkohë autoritetet kanë bërë të mundur edhe arrestimin e një 41-vjeçare të shpallur në kërkim. Raida Kollobani, ose Raida Priska ishte në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet gjyqësore italiane, për arsye se është dënuar me 10 vjet e 7 muaj e 11 ditë burgim, për veprat penale “Pjesëmarrje në organizatë kriminale/grup kriminal për lëndet narkotike”. Ndalimi i saj u bë me qëllim ekstradimi drejt Italisë./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!