Tentuan të grabisin bankomatin, të rinjtë vihen në pranga

schedule09:49 - 27 Janar, 2019

schedule 09:49 - 27 Janar, 2019

Dy persona janë vënë në pranga pasi tentuan të vidhnin një bankomat të një filiali banke të nivelit të dytë në Bulqizë. Policia njoftoi se ka arretuar 31-vjeçarin E.A. dhe 35-vjeçarin F.L. si dy autorët e dyshuar të kësaj ngjarje.

“Këta dy shtetas në bashkëpunim me njëri-tjetrin në orët e para të mëngjesit të datës 26.01.2019, të maskuar dhe me sende të forta tentuan të vjedhin bankomatin e  filialit të një banke të nivelit të dytë në “Lagjen e Re” Bulqizë”, shkruhet në njoftimin e policisë.

Dy të rinjtë janë dënuar edhe më parë për vjedhje. Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë Dibër dhe mbi ta rëndon vepra penale “Vjedhje e bankave dhe arkave të kursimit”.

Ky është rasti i tretë, ku gjatë Janarit grabitësit kanë tentuar të vjedhin bankomate. Më 8 Janar u tentua të grabitet bankomati në bulevardin “Blu” në Kamëz . Ngjarja ndodhi rreth orëve të para të mëngjesit. Persona të paidentifikuar ende tentuan të hapnin bankomatin, por u larguan pa marrë gjë për shkak të alarmit të bankës.

Më 18 Janar u tentua të grabitej një bankomat në Vorë. Grabitësit e dëmtuan atë me mjete të forta. Sipas policisë, autorët nuk mundën të marrin para gjatë grabitjes, por dyshimet flasin për të kundërtën.

Banorë të zonës i thanë uniformave blu se janë gjetur të dëmtuar disa kartmonedha me prerje 5 mijë lekëshe që dyshohen se janë marrë nga bankomati. Grupi hetimor dyshon se është përdorur e njëjta metodë grabitjeje që ndodhi në bulevardin “Blu” të Kamzës./abcnews.al