VIDEO/ Tentoi të vriste dy policë dy vite më parë, ekstradohet nga Belgjika 39-vjeçari

schedule15:22 - 29 Gusht, 2024

schedule 15:22 - 29 Gusht, 2024

Një 39-vjeçar i shpallur në kërkim ndërkombëtar është ekstraduar nga Belgjika. 39-vjeçari ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi dy vite më parë tentoi të vriste me armë zjarri dy punonjës policie.

Ngjarje kjo e ndodhur në Vlorë, mbrëmjen e datës 02.09.2022,  ku dyshohet se shtetasi Diego Haxhiraj, në bashkëpunim me një shtetas tjetër, ka qëlluar me armë zjarri, në drejtim të 2 punonjësve të Policisë.

Pas të shtënave, autorët u larguan nga vendngjarja, me një automjet, i cili u gjet në atë kohë dhe u sekuestrua nga Policia.

“Si rezultat i bashkëpunimit të ngushtë të specialistëve të Interpol Tiranës me homologët në Belgjikë, u finalizua procedura për ekstradimin në Shqipëri, të shtetasit të shpallur në kërkim ndërkombëtar, Diego Haxhiraj, 39 vjeç”, thuhet në njoftimin e policisë.

Sakaq nënvizohet se këtij shtetasi, Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, në vitin 2022, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”, mbetur në tentativë, kryer në bashkëpunim, dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.

/abcnews.al/