Tentohet grabitja e Qendrës Komunitare “Për Familjen” në Shkodër, Pepa: Rast i përsëritur, policia të veprojë

schedule15:30 - 27 Janar, 2020

schedule 15:30 - 27 Janar, 2020

Një tentativë grabitje është regjistruar në Shkodër, në Qendrën Komunitare “Për Familjen” nr. 5 të Bashkisë Shkodër.

Ngjarja mësohet se është regjistruar në orët vona të së shtunës, ndërkohë që punonjësit e qendrës kanë evidentuar dëmin mëngjesin e së hënës kur kanë parë vjedhjen në pjesën e pasme, por edhe dëmtimin që i është bërë pjesës së murit ku grabitësit kanë bërë gati gjithçka për të hyrë në pjesën e prapme të qendrës komunitare.

Kryetari i Rajonit Nr.5, Pal Pepa në një intervistë për mediat ka sqaruar ngjarjen e ndodhur ndërkohë që i ka bërë thirrje Policisë së Shtetit të zbardhë këtë ngjarje. “Pas verifikimit në terren na rezulton se ka pasur një tentativë për grabitje. Ky është një rast i përsëritur. Bashkia Shkodër është dëmtuar disa herë në objekte të tjera. I bëjmë thirrje policisë që të veprojë, gjithashtu i bëjmë thirrje edhe komunitetit ti mbrojë këto qendra”, tha Pepa.

Burime për abcnews.al bëjnë me dije se tentativat e grabitjes por edhe dëmtimet ndaj pronës publike, nuk janë raste të izoluara në territorin e Bashkisë Shkodër, ndërkohë që kjo qendër është dëmtuar edhe gjatë vitit të kaluar. Bashkia Shkodër fton qytetarët të bashkëpunojnë për mbrojtjen e pronës së përbashkët pasi çdo dëm është një kosto që rëndon mbi taskapaguesit shkodranë./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!