Tensioni në kulm, si rusët u pozicionuan për sulm në Adriatik

schedule08:52 - 16 Gusht, 2022

schedule 08:52 - 16 Gusht, 2022

Nga Gianluca Di Feo “La Repubblica”

Përktheu: Alket Goce-abcnews.al

Është një sfidë e fshehtë, dhe ndonjëherë tejet e pamatur. Flota ruse dhe ajo e NATO-s përballen me njëra-tjetrën në Mesdhe, duke qenë shpeshherë në distanca shumë të afërta me njëra-tjetrën. Vetëm 3 javë më parë, anijet e Moskës kryen një operacion shumë të guximshëm. Ato u pozicionuan për të bllokuar Detin Adriatik, me synim pengimin e lëvizjes së aeroplanmbajtëses amerikane “Truman”.

Një lëvizje shumë strategjike, pasi ky është deti më afër fushëbetejave të Ukrainës, dhe nga i cili raketat dhe aeroplanët mund të ndërhyjnë teorikisht më shpejt në vijën e parë të frontit.

Më 22 korrik, anija “Amiraliati Tributs” kaloi kanalin e Otrantos dhe u ngjit më në veri. Ai u zhvendos nga Gargano dhe u vendos para brigjeve të Abruzzo, të tejpopulluara nga njerëzit për shkak të pushimeve verore. Por nuk ishte vetëm. Nga pas e ndiqte kryqëzori rus “Varyag”, me bateritë e tij të raketave me rreze të gjatë veprimi.

Ky i dyti qëndroi përballë qytetit-port italian të Salentos, duke mbajtur nën vëzhgim rrugë-kalimin kyç për në Adriatik. Së bashku me të ishte edhe një luftanije e tretë, “Vasily Tatishchev”, e specializuar në spiunazh, dhe e pajisur me instrumente për të përgjuar komunikimet radio dhe impulset e sensorëve. Detyra e tij ishte të studionte “reagimet elektronike” të NATO-s ndaj këtij inkursioni provokues.

Lexo edhe: Nxehet Mesdheu, anija ruse futet në Jon, avioni Italian mbi Shqipëri. Tre aeroplanmbajtëse të NATO-s blindojnë rajonin

Për herë të parë në Adriatik që nga fillimi i luftës në Ukrainë, flota ruse nuk kishte hyrë kurrë në Detin Adriatik. Disa herë anijet e Moskës kishin ardhur për të monitoruar nga afër stërvitjet e Aleancës Atlantike, duke arritur deri në ujërat e Kalabrisë, në jugun e Italisë.

Por nuk kishin guxuar asnjëherë të kryenin një “manovër bllokuese”, që synoi të kufizonte lëvizjet e aeroplanmbajtëses amerikane “Truman”, mjeti kryesor i dislokimit të NATO-s në Detin Mesdhe, që muajt e fundit udhëton shpesh përgjatë një rruge nga Siçilia në Adriatik dhe anasjelltas.

Operacioni i Marinës Ruse, shkaktoi fillimin e një duel të gjatë në heshtje, ku komandat e NATO-s u angazhuan t’u tregojnë rusëve nuk do të hiqnin dorë nga kontrolli i kalimit midis deteve Jon dhe Adriatik. Kështu, në ditët e fundit të korrikut, kryqëzori “Varyag” u gjend më pak se 100 kilometra larg homologut amerikan “Forrest Sherman”.

Ato ishin praktikisht në të dy anët e kepit të Santa Maria di Leuca. Rusët në anën e Adriatikut, dhe amerikanët në anën e Jonit. Pak më në jug, aeroplanmbajtësja “Truman”, me afro 60 avionë gjuajtës-bombardues F18 Hornet në bord, dhe me një eskortë të marinës amerikane.

Lexo edhe: “Përbindëshi” amerikan lundron përballë brigjeve shqiptare, rusët nuk kanë asnjë shans në Mesdhe

Mes tyre ishte një ekip i NATO-s – Grupi i Dytë Detar i Përhershëm – me anije luftarake dhe fregata amerikane, italiane, spanjolle, turke dhe greke, të cilat më 25 korrik u mblodhën në Detin Jon për të formuar një kuadrat rreth aeroplanmbajtëses “Truman”.

Operacioni rus midis Puljas dhe Siçilisë

Operacioni rus u zbulua nga faqja “The Ship Yard Naval Consultancy”, e cila analizon informacionet nga satelitët komercialë, dhe është konfirmuar për “La Repubblica” nga burime zyrtare. Por misionet e disa gjurmuesve – të përshkruara nga portali Itamilradar – kishin treguar se diçka po ndodhte mes Siçilisë dhe Puljas, raporton abcnews.al.

Sidomos më 31 korrik, një nga dronët-spiunë më të mëdhenj që ka SHBA, GlobalHaëk, që niset çdo ditë nga Sigonella për të shkuar në Detin e Zi dhe për të monitoruar konfliktin ukrainas, patrulloi një pjesë të Detin Jon për orë të tëra, duke vazhduar fluturimin mbi një zonë specifike. E njëjta ku për 3 ditë rresht ishin përqendruar patrullimet e avionëve italianë P72.

Kryqësori “Varyag”

Nuk dihet se cili është pozicioni aktual i anijeve ruse, dhe nëse aktiviteti i tyre shoqërohej edhe nga një nëndetëse. Megjithatë, 3 ditë më parë avionët italianë të zbulimit, kanë rinisur të patrullojnë më intensivisht ujërat mes Kalabrisë dhe Greqisë, duke u fokusuar në disa zona.

Pasi dyshohet se të paktën një nga mjetet e marinës ruse ndodhet ende në zonë. Kryqëzori “Varyag” është binjaku i “Moskva”, që u fundos nga ukrainasit më 14 prill. Ajo është një nga anijet më të fuqishme në flotën e Putinit, me 16 raketa P-1000 Vulcan me rreze të gjatë veprimi në bord, që janë dizenjuara të shkatërrojnë aeroplanmbajtëset amerikane.

Sipas propagandës ruse, ato e bëjnë këtë duke vepruar së bashku “si një tufë ujqërish që sulmon gjahun e saj”. Ato mund të godasin nga 500 kilometra larg, duke udhëtuar me një shpejtësi 3 herë më të madhe se ajo e zërit. Krahasuar me “Moskva”, “Varyag” ka një mbrojtje kundërajrore dhe radarë më të avancuar.

Admiraliati Tributs

Ndërkohë, “Admiraliati Tributs” është një luftanije e shkëlqyer për luftën kundër nëndetëseve, e pajisur gjithashtu me raketa të projektara për të rrëzuar raketat lundruese  amerikane. Dy anijet të ndërtuara në vitet e fundit të Bashkimit Sovjetik, dhe që i janë nënshtruar disa herë modernizimit, janë një çift i përhershëm në flotën e Paqësorit.

Ato u nisën dhjetorin e vitit të kaluar nga baza e tyre në Vladivostok, porti përballë Japonisë, kaluan oqeanet dhe zbarkuan në Mesdhe, për të forcuar pozicionet mbrojtëse në funksion të pushtimit të Ukrainës. Që nga ajo kohë ato janë kanë formuar “majën e sulmit” rus që lëviz nga Siria në Perëndim për të ndjekur Aleancën Atlantike, duke u alternuar me ekipin tjetër të formuar nga kryqëzori “Slava”, një luftanije, dy fregata dhe një korvetë, raporton abcnews.al.

Së fundi, të paktën 2 nëndetëse të klasit “Kilo” – që nuk bëjnë zhurmë dhe të armatosura me raketa Kalibr – po kryejnë ekspedita pranë Bosforit. Këto duele janë deti tani të kufizuara në manovra, pak a shumë agresive, dhe në shkëmbime të impulseve të radarit, për të treguar aftësinë e goditjes së kundërshtarit.

Lojëra luftarake, që me kalimin e muajve po bëhen gjithnjë e më të shpeshta dhe më të rrezikshme. Pak ditë më parë, një dokument strategjik nga Kremlini, përsëriti rëndësinë që kanë rrugët detare të Mesdheut Lindor për “interesin kombëtar” të Rusisë. Ky synim i nxit admiralët e Putinit të nisin një Luftë të re të Ftohtë, me nivele tensioni gjithnjë e më të larta, dhe që vërehen gjithnjë e më shpesh në detet italiane.

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!