Tensionet në KZAZ, Lleshaj: Shkrijmë disa struktura të Policive Bashkive (Video)

schedule14:40 - 19 Qershor, 2019

schedule 14:40 - 19 Qershor, 2019

Disa nga Policitë bashkiake që drejtohen nga opozita do të shkrihen. Vendimi u bë i ditur nga ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, i cili akuzoi uniformat blu të bashkive se kanë dalë kundër misionit të tyre dhe janë kthyer në rrezik publik.

 “Fatkeqësisht, individë të verbuar politikisht, kryesisht punonjës bashkish, por për më keq punonjës të Policive Bashkiake, po gabojnë rëndë duke u përdorur si “mish për top” nga drejtuesit e tyre të bashkive dhe udhëheqësit dritë-shkurtër të këtyre të fundit në Tiranë.

U bëj thirrje punonjësve publikë që të mos marrin mbi vete barrët e rënda ligjore, duke kryer krime elektorale të dënueshme nga Kodi Penal, për llogari të një grushti njerëzish që për interesat e tyre dhe hallet e tyre me drejtësinë, duan të marrin peng zgjedhjet për të dëmtuar rrugën evropiane të Shqipërisë.Qeveria do të marrë masa të menjëhershme që në pajtim me ligjin të shkrijë disa struktura të policisë bashkiake, që janë shndërruar në rrezik publik. Askush nuk do të tolerohet”. 

Lidhur me përplasjet në shumë KZAZ në mbarë vendin, Lleshaj paralajmëroi se protestuesit do të ndëshkohen me të gjithë forcën e ligjit.

“Skenat e djeshme dhe të sotme, të sulmeve barbare mbi shkollat, ku janë vendosur Komisionet Zonale të Administrimit Zgjedhor dhe angazhimi i punonjësve të Bashkive ‘blu’, për të djegur dhe shkatërruar materialet zgjedhore, janë shfaqje domethënëse e përfshirjes së opozitës jashtë-parlamentare në një spirale të rrezikshme jo vetëm të vetë shkatërrimit, por edhe të dëmtimit të interesit publik. Në të njëjtën kohë, kjo është një shfaqje brutale e dëshpërimit politik të kthyer në veprimtari të paligjshme e në akte kriminale, që do të ndëshkohen me të gjithë forcën e ligjit. Policia e Shtetit, garantja ligjore e mbarëvajtjes së procesit zgjedhor, e cila po provokohet dhe po sulmohet në mënyrë të organizuar, po përgjigjet dhe do të përgjigjet proporcionalisht dhe me vendosmëri deri në fund”.

Procesi zgjedhor po sulmohet dhe provokohet në mënyrë të organizuar dhe policia do të përgjigjet proporcionalisht dhe me vendosmëri deri në fund.

 “U bëj apel po ashtu, prokurorëve dhe gjykatësve të këtyre territoreve, ku po shkelet ligji dhe po sulmohet e drejta e popullit për të zgjedhur, që të zbatojnë ligjin, vetëm ligjin dhe asgjë tjetër përveç tij! Policia e Shtetit do të ndalojë dhe do të arrestojë në bazë të ligjit, çdo shkelës dhe do të depozitojë prova të mjaftueshme për ndëshkimin e tyre, sipas parashikimeve të Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë. Ky është një moment kritik në betejën e ligjit me anti-ligjin, shtetit me anti-shtetin, shoqërisë me grupet paramilitare të një politike që zhvillohet në shtratin e paligjshmërisë”.

Në fund Lleshaj theksoi se disa Kryetarë bashkish që po u përfundon mandati legjitim nuk mund të qëndrojnë me dhunë më në detyrë./ABC News Albania 24/7