Tensione në Kuvendin e Serbisë, deputeti shqiptar kundër Daçiç për kryeparlamentar

schedule15:45 - 22 Tetor, 2020

schedule 15:45 - 22 Tetor, 2020

Në seancën e Kuvendit të Serbisë, është propozuar që ministri aktual i Punëve të Jashtme, Ivica Daçiç, të jetë kryetar i ardhshëm i kuvendit, por një propozim i tillë është kundërshtuar nga deputetet e Luginës së Preshevës.

Mediat vendase bëjnë me dije se, deputetët e listës “Lugina e Bashkuar – SDA Shanxhak”, kanë kundërshtuar propozimin e socialistëve që Daçiç të jetë në krye të Kuvendit, pasi që sipas tyre, ai nuk është simbol i demokracisë.

Deputeti shqiptar, Shaip Kamberi, në një prononcim për mediat ka thënë se ai bashkë me deputetët e kësaj liste, nuk do ta mbështesin këtë propozim.

Sipas Kamberit, “nuk mund të shikohet në të ardhmen nëse një komb nuk përballet me të kaluarën e tij”, pasi që siç u shpreh Kamberi, Daçiç, i cili është kryetar i Partisë Socialiste të Serbisë, ka qenë pjesë e elitës politike që ka shkaktuar luftëra të përgjakshme në territorin e ish-Jugosllavisë dhe si i tillë nuk përfaqëson simbol të demokracisë.

“Të gjithë e dimë se Daçiç ka nisur iniciativën për fshirjen e vendbanimeve të qytetarëve në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë për të zvogëluar numrin e shqiptarëve në këtë rajon. Daçiç  gjithashtu bën thirrje për zbulimin e mundshëm të varreve të mundshme masive që ekzistojnë në Serbi dhe për këtë arsye nuk do të marrë votën tonë”, ka thënë Kamberi, duke shtuar se “nëse mohimi i krimeve të luftës dhe mbulimi i varreve të mundshme masive nuk është një arsye e mjaftueshme, atëherë kjo shoqëri ka një problem të madh”, është shprehur ndër të tjera Kamberi.

Kamberi po ashtu citohet t’i ketë thënë Daçiçit, se nëse mosnjohja e pavarësisë së Kosovës i atribuohet Daçiçit si sukses ashtu siç mendojnë disa deputetë, atëherë ky është mendim dhe vlerësim i gjithsecilit mirëpo, nuk është që mund të mburret ndonjë diplomat me këtë dhe se edhe diplomatët e huaj e kundërshtojnë Daçiçin në këtë aspekt.

E pas këtyre deklaratave ka reaguar edhe Daçiç duke i thënë Kamberit se gjatë kohës sa ishte ai kryetar i Bujanocit në momentin kur u vra një polic ai nuk ishte i dëshirueshëm në këtë komunë.

“Si ministër i Punëve të Brendshme në kohën kur u vra polici në Bujanoc unë isha i padëshirueshëm për Kamberin”, tha Daçiç./abcnews.al