Seanca e Kuvendit të Kosovës është ndërprerë pas tensioneve dhe përplasjeve mes deputetëve, pak pasi kreu i LVV-së, Albin Kurti, kërkoi kohë shtesë për arritjen e një marrëveshjeje politike.
Gjatë fjalës së tij, Kurti kërkoi shtyrjen e vendimmarrjes, duke argumentuar se ende nuk ka një marrëveshje politike. “Prandaj, që t’i evitojmë zgjedhjet e reja, ju lus për kohë shtesë”, tha Kurti.
Pas fjalës së tij, situata në sallën e Kuvendit u tensionua. Deputetja e Aleancës, Time Kadriaj, u afrua në drejtim të Kurtit dhe tentoi të gjuante me vezë.
View this post on Instagram
Veprimi solli reagimin e deputetëve të grupeve të ndryshme parlamentare, të cilët u ngritën në këmbë dhe pati shtyrje fizike mes tyre.
Për shkak të situatës së krijuar, kryesuesi i seancës, Avni Dehari, vendosi ta ndërpresë atë.
Pas ndërprerjes së seancës, deputetja e LDK-së, Jehona Lushaku-Sadriu, e cilësoi situatën e krijuar në Kuvend si një “pamje të keqe”.
Ndërkohë, përfaqësues të partive të tjera politike kanë reaguar për mediat lidhur me tensionet dhe incidentin e ndodhur gjatë seancës.


