Sondazh

A po e dëmtojnë protestat turizmin në Shqipëri?

Loading ... Loading ...
 

Mbi 1 mijë masa në një javë për shpejtësinë/ Policia: Janë kapur mjete deri në 230 km/h

schedule11:38 - 8 Gusht, 2026

schedule 11:38 - 8 Gusht, 2026

Policia e Shtetit ka intensifikuar kontrollet për sigurinë rrugore, duke përdorur mjete inteligjente për evidentimin e shkeljeve në akset kryesore të vendit.

Vetëm gjatë kësaj jave janë vendosur 1,100 masa administrative për tejkalim të shpejtësisë, ndërsa janë evidentuar raste ku automjetet kanë lëvizur deri në 230 km/h.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Skender Hita, inspektoi nga terreni masat e ndërmarra nga Policia Rrugore në aksin interurban kryesor “Rrogozhinë-Durrës”, ku po përdoren mjete inteligjente për monitorimin e shpejtësisë dhe shkeljeve të tjera të qarkullimit rrugor.



Drejtori i Policisë Rrugore, Drejtues i Parë Perlat Vatoci, bëri me dije se mjete të tilla janë të dislokuara edhe në akse të tjera kryesore të vendit, përfshirë Rrugën e Kombit, me qëllim evidentimin automatik të drejtuesve që tejkalojnë normat e lejuara të shpejtësisë.

Sipas Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, gjatë javës janë vendosur 1,100 masa administrative për tejkalim të shpejtësisë, ndërsa shpejtësitë e evidentuara kanë arritur deri në 230 km/h.

“Shpejtësia vret”, ishte një nga mesazhet e përcjella nga Hita, i cili kërkoi respektimin e rregullave të qarkullimit dhe paralajmëroi intensifikimin e kontrolleve me mjete inteligjente.

Policia po përdor në terren pajisje si Poliscani, radarë dhe dronë për monitorimin e trafikut dhe evidentimin e shkeljeve.

Ndërkohë, gjatë një viti, sipas të dhënave të bëra publike nga Policia e Shtetit, 1,075 drejtuesve të automjeteve u është hequr leja e drejtimit pasi kanë humbur pikët, ndërsa 1,060 raste janë proceduar për drejtim të automjetit pa leje drejtimi.

Policia njofton gjithashtu se së shpejti pritet të vihen në funksion kamerat në Qendrën Kombëtare të Monitorimit të Trafikut Rrugor. Këto kamera do të integrohen me sistemin e Policisë dhe synojnë një monitorim më të detajuar të shkeljeve në rrugët kryesore interurbane.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit apeloi drejtuesit e automjeteve që të mos përdorin telefonin gjatë drejtimit, të mos drejtojnë nën efektin e alkoolit apo lëndëve narkotike dhe të respektojnë kufijtë e shpejtësisë.

“Një rregull i respektuar, është një jetë e shpëtuar më shumë”, ishte mesazhi i Policisë së Shtetit.

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!