Partia Demokratike ka dorëzuar në Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar kallëzim penal në ngarkim të ministres së mbrojtjes Olta Xhaçka.
PD gjithashtu ka kallëzuar edhe anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave në Ministrinë e Mbrojtjes, dhe shoqëritë “EUROVIA” shpk, dhe XPERT SYSTEMS sh.p.k.
Sipas selisë blu, ministrja Xhaçka ka abuzuar me tenderin e ushqimeve me vlerë 1.5 milion euro.
Në kallëzimin e firmosur nga sekretari i përgjithshëm i PD Gazment Bardhi thuhet se, në dokumentet e tenderit mungon argumentimi se përse janë ftuar kompanitë e shpallura fituese “EUROVIA” shpknj dhe shoqëria XPERT SYSTEMS sh.p.k., në kushtet kur asnjëra prej tyre nuk është e specializuar në fushën e objektit të prokurimit.
Këto dy kompani, sipas PD, kanë shtuar në objektin e veprimtarisë së tyre “tregtimin e ushqimeve”, vetëm disa ditë përpara se të shpallej tenderi.
Ish-deputeti demokrat Enkelejd Alibeaj para disa ditësh, tha se kompania që është shpallur fituese e tenderit për shpërndarjen e ushqimeve është përzgjedhur fituese pa garë.
Sipas PD kompania “EUROVIA” shpknj nuk përmbush kriterin ligjor të eksperiencës së ngjashme në fushën e furnizimit me produkte ushqimore në 3 vitet e fundit.
PD pretendon se kjo kompani është e specializuar në fushën e tregtimit të produkteve kompjuterike dhe materialeve të ndërtimit.
Partia demokratike e akuzon ministren Olta Xhaçka për 6 vepra penale: “Korrupsion aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë”, “Shpërdorimit të detyrës”, “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tenderë apo ankande publike”, “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërore”.
Ministrja Xhaçka me anë të një reagimi në rrjete sociale tha se e mirëpret kallëzimin e PD dhe gjithashtu i kërkon SPAK-ut që ta hetojë me përparësi.
Olta Xhaçka i quan akuzat e opozitës rivënie në skenë të versionit më të fundit të “Babales”.
Ministrja e Mbrojtjes kërkon gjithashtu që opozita të japë kontributin e saj për të luftuar epideminë e COVID-19.
“E mirëpres padinë e PD dhe e inkurajoj SPAK që ta hetojë me përparesi këtë akuzë sepse sot qytetarët kanë shumë nevojë për qartësi.
PD ka të drejtë kur thotë që do të ishte veçanërisht e ulët e kriminale nëse një ministër do të përfitonte nga pandemia për të bërë korrupsion.
Por është po aq e ulët e imorale nëqoftëse opozita e një vendi në kohë lufte, jo vetëm s’kontribuon në përpjekjen e përbashkët për të mundur armikun e për të shpëtuar jetë, por vazhdon me shpikje të modelit Babale në një përpjekje për të sabotuar luftën e minuar përpjekjen tonë të përbashket për t’i bërë ballë me sa më pak humbje e vuajtje armikut të padukshëm!
I takon SPAK të hedhë dritë mbi këtë çështje me të gjithë urgjencën që dikton situata e luftës ku jemi. Kemi bërë çdo gjë sipas ligjit e procedurës dhe jam optimiste se në fund të hetimit qytetarët do të kuptojnë qartë si drita e diellit se kjo akuzë s’është veç rivënia në skenë e versionit më të fundit të Babales”, shkruan Xhaçka./abcnews.al