Temperaturat e larta, qytetarët shmangin ekspozimin në diell

schedule15:31 - 27 Qershor, 2019

schedule 15:31 - 27 Qershor, 2019

E vetmja mënyrë e qytetarëve për t’u mbijetuar temperaturave të larta që kanë përfshirë vendin, është konsumimi i lëngjeve dhe shmangia e qëndrimit në diell. Por, meteorologët sjellin lajme të mira për në fundjavë, kur temperaturat pritet të pësojnë ulje.

Kjo është mënyra qe zgjedhin t’i përballojnë një pjesë e qytetarëve te tiranes temperaturat e zjarrta te këtij fund qershori.

Disa njerëz, sidomos gra e vajza, përdorin çadrat për t’u mbrojtur nga rrezet përvëluese të diellit kur duhet të lëvizin në orët e ditës. Të tjerë konsumojnë ujë për t’u freskuar apo qëndrojnë në hije për t’i shpëtuar sadopak të nxehtit.

“Me shumë vështirësi po e përballojmë këtë vapë”.

“Duke bërë dush me ujë të ftohtë, akullore shpëtimi, po edhe plazhi është shpëtimi”.

“Konsumojmë ujë të ftohtë, hije, shtëpi”.

MeteoALB thotë se edhe e premtja do të ketë temperatura relativisht të larta, që arrijnë deri në 38 gradë C në pjesën më të madhe të vendit.

Adiola Bani, MeteoALB: “Pritet rritje e temperaturave në vijim edhe dita e premte do ketë rritje. Parashikohet që këto dy ditë do jenë më të nxehtat e kësaj jave, pasi vlerat termike shkojnë 37-38 gradë celsius edhe 39 gradë”.

Megjithatë vala e nxehtë që ka përfshirë vendin tonë dhe Europën, pritet të zbehet disi gjatë ditës së shtunë dhe të dielë.

Adiola Bani, MeteoALB: “Gjatë fundjavës pritet rënie e temperaturave me 2-3 gradë. Më e ndjeshme gjatë mesditës së të shtunës. Gjatë fundjavës jo më shumë se 36 gradë celsius”.

Java e parë e muajit korrik pritet të sjellë sërish rritje të temperaturave sipas sinoptikanëve. Vlerat maksimale të termometrit pritet të variojnë ne 37 apo 38 gradë C, çka do të favorizojë të gjithë ata që do të nisin pushimet. /ABC News Albania 24/7