Telenovela Kylian Mbappe vazhdon. Sulmuesi i PSG-së ende nuk ka marrë një vendim për të ardhmen e tij, edhe pse zërat për një largim të mundshëm nga kampionët e Ligue 1 janë shtuar në javët e fundit. 22-vjeçari ia ka bërë të qartë drejtuesve kërkesat e tij, por ato nuk arrijnë në një gjuhë të përbashkët.
Kylian kërkon plot 35 milionë euro neto në sezon, aq sa fiton Neymar aktualisht dhe ka qenë vetë ai që e ka pranuar se nëse do të rinovojë atëherë do të qëndrojë në Paris shumë gjatë. Nëse klubi nuk i përmbush kërkesën, atëherë ai dëshiron të largohet, ku sigurisht nuk mungojnë ofertat për të.
Ajo që bie në sy është refuzimi i ofertave të PSG-së nga ana e Mbappes. Sipas raportimit të “Cadena SER”, bomberi i ka thënë tre herë jo francezëve, duke ngulmuar në largimin e tij.
Real Madrid vazhdon të monitorojë situatën e tij, por edhe Liverpool nuk mbetet pas. Kujtojmë që kontrata e kampionit të botës me Francën përfundon në vitin 2022 dhe nëse nuk largohet këtë merkato, atëherë PSG rrezikon ta humbasë me parametra zero. /abcnews.al