Partia Demokratike ka vijuar dhe sot akuzat ndaj kryeministrit Rama për godinën e re të Teatrit Kombëtar. Deputetja demokrate, Albana Vokshi, tha se nga plani për të ndërtuar 6 kulla në zonën e Teatrit, Rama, sipas saj, fiton të paktën 205 milionë euro.
Një ditë pas protestës marshim kundër ligjit të miratuar në parlament për shembjen dhe ndërtimin e një teatri të ri kombëtar… Partia Demokratike denoncoi me kronologji atë që quan aferën shumë-vjeçare të kryeministrit Rama për shembjen e teatrit kombëtar.
“ Sipas përllogaritjeve të ekspertëve ….Fitimi i planifikuar nga Edi Rama nëpërmjet skemës mafioze të grabitjes së pronës publike duke shembur Teatrin për të ndërtuar 6 kulla është të paktën 205 milionë euro”.
Është ky fitim marramendës i klientit të kryeministrit dhe atij vetë, deklaron Vokshi, ajo që ka angazhuar Edi ramën në plotësimin e kësaj skeme të vënë në jetë prej 20 vitesh.
“Që kur ka marrë pushtet në vitin 1998, kur u bë Ministër Kulture… Edi Rama caktoi se godina rrezikohej nga zjarri dhe urdhëroi mbylljen e sallave të shfaqjeve. Dha me qera me 1USD/m2 ambientet e Teatrit Kombëtar, i cili u kioskëzua, u kthye në bingo dhe bar kafe, duke e zhytur teatrin në borxhe për shkak të lidhjeve të paligjshme të bizneseve të Ramës brenda Teatrit”.
Ishte koha kur Pandeli Majko ishte kryeministër dhe u doli në krah artistëve, thekson PD, të cilët kërkonin rikonstruksionin e Teatrit, që bazuar në studimet e kohës kushtonte vetëm 1 milion dollarë.
“Edi Rama Ministër Kulture devijoi qëllimshëm çdo fond buxhetor dhe të donatorëve të destinuar për Teatrin në projekte personale. Këtë gjë ai e bëri edhe si Kryetar Bashkie”.
Në vitin 2002 nisi promovimin e idesë së ndërtimit të Teatrit me koncesion,thenkson Vokshi, por kjo u zmbraps nga protestat e artistëve, për t’iu rikthyer sot kur në krye të Bashkisë Tiranë është Erion Veliaj.
“Në Planin e Përgjithshëm Vendor të Tiranës 2017, ndryshe nga zonat e tjera ku sipërfaqja e ndërtimit, koeficienti i shfrytëzimit dhe numri i kateve janë të përcaktuara, në zonën ku është Teatri gjithçka u la hapur, që ta vendosë vetë Edi Rama në bazë interesave të tij financiarë”.
Kjo menjëherë pas Vendimit të këshillit të Ministrave të vitit 2016, theksojnë demorkatët, përmes së cilit Edi Rama vendosi përgjysmimin e çmimit të truallit në zonën e teatrit në mënyrë që të përmbushte skenarin e vënë në lojë gjatë viteve të tij në pushtet.