Teatri Kombëtar, Rama: Asnjë centimetër i truallit nuk do të përdoret për zhvillim privat

schedule12:23 - 30 Korrik, 2019

schedule 12:23 - 30 Korrik, 2019

Kryeministri Rama deklaroi të martën se asnjë hapësirë e truallit të Teatrit Kombëtar nuk do të përdoret për zhvillim privat. Gjatë një bashkëbisedimi me gazetarët, kreu i qeverisë tha se Teatri është ndërtuar me një material të parikuperueshëm dhe se kjo çështje është politike.

“Dhe për më tepër është përhapur dhe ka zënë vend fjala se trualli i Teatrit Kombëtar do të përdoret për zhvillim privat. Është e pavërtetë. Asnjë centimetër i truallit nuk do të përdoret për zhvillim privat. Zhvillimi privat vjen pas murit rrethues të Teatrit. Nëse ne do të ishim të interesuar për zhvillimin privat dhe jo për teatrin, do ta kishim të lehtë fare që të qetësonim të gjithë këta. Do bënim kopjen e teatrit ekzistues në të njëjtët kufij, njësoj siç është sot se nuk restaurohet dot dhe ishim në rregull. Por për çfarë arsye do ta bëjmë këtë? Dhe do paguhej shumë më pak privati që do të merrte po atë sasi toke mbrapa për ta bashkuar me tokën private për të bërë zhvillimin tjetër. Ne me projektin e ri kërkojmë shumë më tepër fond nga privati për ta këmbyer me një truall që është mbrapa teatrit dhe ku ka ferra, mbeturina të ish-dekorit të Bashkisë së Tiranës, teneqe dhe fusin makina. Është truall pa lidhje dhe pa asnjë vlerë, ndërsa vlera që ne kemi marrë është teatri i ri për Tiranën. Këtu çështja është politike, këtu çështja është mediokritet dhe kapu pas asgjësë për të bërë zhurmë. Nuk kemi asnjë interes që të bëjmë zhurmë në rast se nuk kemi bindjen që e ardhmja nderohet sot dhe sot nuk mund të bëjmë diçka që të mos i vlejë të ardhmes”, tha Rama.

Kreu i qeverisë e krahasoi projektin e teatrit me atë të stadiumit kombëtar. Sipas tij, stadiumi i ri është një mënyrë se si harmonizohet nevoja e aktualitetit me ambicien për të ardhmen. Ndër të tjera, kryeministri tha se godina aktuale nuk ka qenë në plan për teatër por për të arkëtuar materialet pas pune.

“Zhvillimet e Teatrit Kombëtar janë shumë të vjetra dhe më vjen sinqerisht gati mirë edhe keq që vazon një debat për një temë që do duhet të ishte ezauruar në këndvështrimin tim 20 vjet më parë. Ka shumë njerëz që ngatërrojnë muret me historinë, historinë me nostalgjinë, por dua të them se së pari nëse ka një njeri, por edhe një forcë qeverisëse që në krahasim me gjithkënd tjetër nuk mund të akuzohet për mungesë vëmendjeje apo për mungesë ndjeshmëri ndaj trashëgimisë kulturore ai jam unë dhe kjo është forca jonë qeverisëse. Mos harroni që kur unë kam filluar përpjekjen për të shpëtuar trashëgiminë tonë kulturore kompleksi i ministrive që shihni sot ishte një kompleks sipërfaqesh ku shkruheshin fjalë të pista me spraje, ku binin suvatë, ku mbinin fiqtë literalisht mbi tarracat sepse mbeturinat liheshin në tarraca dhe ktheheshin në pleh ku rritej fiku. Po e nis nga ai projekt që ka qenë i pari në një vazhdë projektesh dhe po e përfundoj me stadiumin. Shikoje stadiumin tani dhe ja ku e keni edhe ndjeshmërinë mbi trashëgiminë reale kulturore edhe mënyrën se si një vlerë harmonizohet me nevojat e aktualitetit dhe me ambicien për të ardhmen. Deri dje xhevahiri i Gerhardio Bozios ishte i lidhur në brezin e tullave dhe llacit të tenequrinave të periudhës komuniste. Sot është zemra e arenës së re kombëtare dhe është një monument historik që të jeni të bindur se do ketë turistë që do shkojnë për atë për ta parë. Godina e Teatrit Kombëtar nuk është një çështje verbërie apo indiferencë. Është një çështje realiteti. Është një godinë e ndërtuar nga ushtria italiane me materiale për arkëtimin pas pune. Nuk ka qenë në plan për teatër. Nuk ka qenë aty Teatri Kombëtar në planin e pasluftës. Ka mbetur si rezultat i pamundësive dhe është sot i degraduar në pikën që është e parikuperueshme edhe sikur të donim ta rikuperonim, është ndërtuar me një material të parikuperueshëm. Nëse godina do të kishte vlerë nga pikëpamja arkitektonike dhe nëse godina do t’i ishte hapësirat për të pasur aty një teatër, atëherë nuk do të ishte e mundur të restaurohej, por të shembej dhe të ndërtohej sipas projektit. Do të na kushtonte më pak se godina e re nëse do ta ndërtonim si godina siç është”, tha Rama./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!